Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka përshëndetur arritjen e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals”, gjatë Konferencës Ndërqeveritare të zhvilluar sot mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel.
Në një postim në rrjete sociale, diplomati gjerman e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke përgëzuar qytetarët shqiptarë, si edhe përfaqësuesit e politikës, administratës dhe drejtësisë për angazhimin e tyre në këtë drejtim.
Në një postim në rrjete sociale ambasadori gjerman thekson se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.
Diplomati gjerman theksoi se forcimi i shtetit ligjor, mbrojtja e të drejtave themelore dhe garantimi i një demokracie pluraliste mbeten në thelb të vlerave evropiane dhe përcaktojnë ritmin e progresit të Shqipërisë drejt BE-së.
Bergner u ndal edhe te pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, duke i cilësuar ato si kushte të panegociueshme për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Ai theksoi po ashtu se vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit, duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.
Deklarata e ambasadorit të Gjermanisë, Karl Bergner:
“Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals“ përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e “Fundamentals“ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.
Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave.“