Kryeministri Edi Rama thotë se planifikon të ulë ndjeshëm intensitetin e ndërtimeve në bregdetin shqiptar, si një tentativë për të ruajtur mjedisin.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka në plan që të lërë toka për zhvillim edhe për brezin e ardhshëm, Rama la të nënkuptohet se ka vend plot edhe për këtë, teksa tha se zonat e zhvilluara përgjatë bregdetit janë shumë më të vogla.
Kryeministri Rama u zotua se në zonën e Porto Palermos nuk do të ketë asnjë ndërtim komercial, përveç disa ndërhyrjeve të vogla që do t’i kryejë qeveria.
Ai tha se do të prezantojë “Rilindjen 2.0”, që parashikon ruajtjen e disa zonave në bregdet edhe pse nuk janë pjesë e parqeve kombëtare, si dhe uljen e intensitetit të ndërtimeve në përgjigjësi, në zonën e bregdetit.
“Më vjen keq, por besoj që ti hyn te ata njerëz që e ke kaluar vijën e bregdetit me varkë. Dhe e ke parë që zonat e zhvilluara janë më të vogla se pjesa tjetër. Ne në këtë periudhë kemi rritur në mënyrë të ndjeshme sipërfaqen por rilindja urbane 2.0 do të fillojë edhe me pjesën që ka të bëjë me turizmin duke i vënë një theks të ri mjedisit, ruajtjen e pjesëve të caktuara që mund të mos jenë parqe kombëtare. Në Porto Palermo e kemi në mbrojtje, do të bëjmë vetëm tre ndërhyrje. Një ndërhyrje që na ka ardhur nga një çift aty, për të restauruar dhe mbajtur tre barrake ushtarake. Një ndërhyrje për të bërë muzeun e luftës së ftohtë në tunel dhe një ndoshta për barrakat ushtarake në pjesën tjetër, por pa resorte dhe vila.
Faza e parë ishte Golemi, që ishte zonë ekskluzive dikur, por i takon të shkuarës. Pastaj erdhi faza e ndërtimeve më cilësore. Tani do të futemi në fazë të re, do ulim masivisht ndërtimet në bregdet, dhe do të shkojmë drejt një turizmi që sjell më shumë të ardhura dhe më pak ndotje dhe dëm”, deklaroi Rama.