
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të largohen nga Europa nëse kontinenti nuk arrin të përballojë emigracionin.
“Nëse nuk gjejnë së shpejti rrugën e duhur, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të largohemi”, deklaroi Trump gjatë një tubimi në Kansas, ku komentoi edhe protestat në Francë.
Ai kritikoi politikat e emigracionit të politikanëve të majtë, duke i akuzuar se kanë lejuar hyrjen e miliona emigrantëve nga vendet në zhvillim.
“Politikanët e krahut të majtë kanë importuar miliona e miliona emigrantë nga Bota e Tretë. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’i ndodhë vendit tonë”, u shpreh presidenti i SHBA-së.
Trump tha se nuk do ta harrojë kurrë sjelljen e Europës kur SHBA kërkoi ndihmë për Iranin.
“Kur kërkuam ndihmë në Iran, ata nuk na dhanë një dorë, dhe ne shpenzuam kaq shumë për NATO-n. Kjo është diçka që nuk mund ta harrojmë kurrë”, këmbënguli Trump.
Gjatë tubimit në Kansas, Trump njoftoi një program ndihme prej 8 miliardë dollarësh për fermerët amerikanë, me synimin për të kompensuar përkohësisht kostot e larta të naftës për makineritë bujqësore gjatë sezonit të korrjeve.
Sipas mediave amerikane, programi do të zbatohet nga Departamenti i Bujqësisë. Njoftimi vjen në kuadër të një serie angazhimesh financiare të presidentit përpara zgjedhjeve të mesmandatit, ku përcaktohet kontrolli i Kongresit amerikan.