
TikTok dhe sheshi. Makinat e karabinierëve për t’u shkatërruar, si në “Grand Theft Auto”. Pastaj sulmi kundër dyqaneve. Nike, Footlocker, Decathlon. “Shpronësime proletare 2.0”, duke ia mbathur pastaj me një palë këpucësh 120 euro nën sqetull. Trofe të një dite ku “gjithçka është falas”. Të një revolucioni të çastit: thyej, zhgrap dhe mbathja. Çunakë që mezi arrijnë 1.60 m. Thatimë të veshur me tuta të zeza, xhupa pa mëngë dhe bluza tutash me kapuç. Mbajnë të gjithë “balaklavanë”, një passamontagna që lë vetëm sytë të duken, protagoniste e çdo videoje nga trapper-ët milionerë, që kanë mbushur Rrjetin.
“Sot s’ka mbetur kush pa shkatërruar diçka. Të gjithë po e bëjnë”, thotë një djalë, të cilit i shihen vetëm sytë. Me passamontagna, xhup të fryrë dhe doreza. Vrapon drejt një autoblinde të karabinierëve, që manovron në piazza Duomo për të shpërndarë pak të dhunshmit që kanë mbetur para katedrales – dhe ia jep kësaj një shkelm fluturimthi. Skena të guerriljes urbane, të revoltës sociale, të tilla që në Milano nuk ishin parë prej vitesh, të prira nga grupe të rinjsh të mitur, që as nuk e njohin njëri-tjetrin. Njësi të vogla prej tre, katër, maksimumi dhjetë vetësh.
Kanë ardhur nga periferitë e Milanos, nga provinca të tjera. Disa prej tyre, më të dhunshmit, kishin marrë tashmë pjesë në protestë që nga fillimi, të tjerë arritën kur videot dhe fotot e trazirave filluan të qarkullojnë në rrjetet sociale. “Pamë se çfarë po ndodhte dhe erdhëm të bëjmë rrëmujë [casino]”, tregon njëri prej tyre. “Hajde të shkojmë të shkatërrojmë palazzo Marino [selinë e komunës së Milanos]”, shton një manifestues tjetër.
Para kordonëve të policisë dhe të karabinierëve gjen vajza që bëjnë video për TikTok-un me filtra që i shndërrojnë fytyrat e njerëzve në kotele. Realitet dhe metavers. Bie një granatë me gaz lotsjellës dhe vrapojnë të gjithë. Pastaj kthehen. Dikush shkatërron, dikush gjuan me gurë policët, dikush u kërkon miqve që ta filmojnë, teksa këndon këngën e vet të preferuar. Me guerriljen në sfond. Skenografi e përsosur. Më shumë ka rëndësi të jesh aty, se të manifestosh. E tregojnë fotot dhe videot që nxirren poshtë statujës së Vittorio Emanuele-s dhe që, brenda pak orësh, bëhen virale në rrjetet sociale, të shoqëruara nga këngët e trapper-ëve frymëzues (mbi të gjithë, Baby Gang dhe Simba La Rue).
Selfie me gurët në dorë, “foto grupi” me trofetë e të shtunës mbrëma: tabela rrugore dhe llamba të kantiereve. Gati askush prej këtyre nuk ka marrë ndonjëherë pjesë në një manifestim publik, nuk ka asnjë strategji, nuk ka asnjë itinerar ku të manifestohet duke ecur. Njëlloj si në Francë, në manifestimet e “casseurs”, por është e vështirë t’i klasifikosh këta të rinj, me lëkurë të bardhë a të errët, në diçka politike. Kur mbarojnë përplasjet, ndonjë qendër sociale milaneze provon të solidarizohet me protestën, t’i presë krahëhapur këta manifestues të dhunshëm dhe të vendosur. T’i japë një drejtim politik forcës shkallmuese. Por lëvizjet e së majtës, në shesh, kanë mbetur mënjanë, duke e bërë sehir këtë zemërim pa kokë. U dëgjuan disa kore kundër “qeverisë fashiste” dhe “Europës së të pasurve”. Por mbeti me kaq.
Tani do të nisë debati, përpjekja për ta përfshirë këtë protestë të dhunshme dhe të çorganizuar në një lëvizje që i kundërvihet qeverisë. Shumë prej atyre dje në shesh nuk kanë as të drejtën e votës, të tjerë nuk kanë madje as shtetësinë italiane. Disa studiojnë, të tjerë e kanë braktisur shkollën. Janë të paktë ata që e kanë një punë. Por kanë zemërimin, urinë, kokën të mbushur plot me mesazhe të urrejtjes kundër policisë, që u vijnë prej këngëve. “Sot shkallmojmë gjithçka dhe i marrim qytetet në duart tona. Ua q... nënën policëve të mutit.” Janë njëherazi benzina dhe fitili. Koha do të tregojë nëse do të bëhen diçka e qëndrueshme dhe jetëgjatë. Për momentin janë vetëm të rinj plot mllef, të mërzitur, që bëjnë video në TikTok me veshë lepuri dhe vjedhin këpucë të lira, duke shkallmuar një qytet që për ta është simbol i lënies së tyre mënjanë. Janë diçka që nuk kapet dot, ndoshta ngaqë politika, krejt politika, thjesht e ka injoruar ekzistencën e tyre. Por janë, në një farë mënyre, e tashmja. As e djathta as e majta. Milano, Marsejë, Paris, Lion, Torino, Madrid. Gjithçka shumë e pështjelluar, por edhe tejet e ngjashme.