Will Smith jep dorëheqjen nga Akademia pas shuplakës në "Oscars"

2 April 2022, 08:27Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Will Smith jep dorëheqjen nga Akademia pas shuplakës në
Will Smith, fitues i çmimit Oscar

Will Smith jep dorëheqjen nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit për shkak të sjelljes së tij në skenë gjatë ceremonisë së Oscars të dielën e shkuar, ku ai goditi me shuplakë komedianin Chris Rock.

Në një deklaratë të lëshuar të premten mbrëma, aktori dhe muzikant i cilësoi veprimet e tij "tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme" dhe tha se do të pranojë çdo pasojë shtesë që Bordi i Guvernatorëve të Akademisë e konsideron të përshtatshme.

"Lista e njerëzve që kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë të pranishmit dhe audiencën në gjithë globin që na ndiqte nga shtëpia", tha Smith, duke pranuar se veprimet e tij errësuan dhe cënuan festimin për fituesit e tjerë të statuetës.

"Tradhtova besimin e Akademisë. Privova të nominuarit dhe fituesit nga mundësia për të festuar dhe për t'u lavdëruar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Jam zemërthyer", tha ai me keqardhje.

Po ashtu, kur njoftoi dorëheqjen nga anëtarësia e Akademisë, ai theksoi rëndësinë e kësaj organizate në mbështetjen e krijimtarisë dhe artit në kinema. "Ndryshimi kërkon kohë dhe përkushtohem të punoj që kurrë më, dhuna të mposht arsyen."

Nga ana e tij, presidenti i Akademisë, David Rubin, përmes një komunikate ka raportuar se dorëheqja është pranuar.  "Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me procedurat tona disiplinore kundër z. Smith për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë”, tha ai.

Dorëheqja e Smith do të thotë se ai nuk ka më të drejtë vote për Oscars, por mund të nominohet, të jetë i pranishëm në ceremoni të tjera dhe të mbajë statujën që fitoi. 

Skena me protagonist Will Smith, i cili mori çmimin Oscar si aktori më i mirë për rolin e tij në ‘King Richard’, ka qenë objekt kritikash, por edhe mbështetjeje për aktorin, si në botën e kinemasë dhe argëtimit, ashtu edhe nga politika.


Video