Hailey Welch, një vajzë amerikane qe u bë sensacion në internet pas një video virale, duket të jetë në telashe me ligjin pas promovimit të një kriptomonedhe.
Welch, e njohur edhe si vajza “Hawk Tuah”, lëshoi një kriptomonedhë të quajtur “$HAWK”, si dhe e publikoi atë te shumë dëgjues të podcastit të saj.
Kriptomonedha “$HAWK” është pjesë e atyre që quhen “memecoin”, apo monedha digjitale që e kanë origjinën nga një “meme” humoristike, siç është dhe më e famshmja prej tyre “DOGE” coin. Përgjithësisht këto lloj kriptomonedhash konsiderohen me rrisk të lartë për të investuar.
Kështu ndodhi edhe me monedhën digjitale të bukuroshes amerikane, Hawk, që e humbi 95 për qind të vlerës së saj në një ditë të vetme.
Ndaj, së fundmi, shumë investitorë në këtë monedhë kanë vendosur të hedhin në gjyq njerëzit e lidhur me monedhën në fjalë.
Ky nuk është rasti i parë që personazhe të njohur apo “influencerë” vihen në qendër të skandaleve pasi mbështesin monedha të tilla, që janë pjesë e skemave mashtruese “pump and dump”. E shpjeguar më thjesht, ata investojnë në këto monedha teksa vlera e tyre është e papërfillshme, dhe më pas i bëjnë thirrje ndjekësve që gjithashtu të investojnë, duke ia rritur artificialisht vlerën monedhës digjitale.
Në këtë moment, ata tërheqin fitimet marramendëse duke bërë që vlera e monedhës të bie në nivele ekstremisht të ulëta, e duke lënë “me gisht në gojë” të gjithë ata investitorë të tjerë që i mbështetën.
Prej gati dy javësh, Hailey nuk është shfaqur më publikisht dhe as në podcastin e saj.