Phoebe Gates, vajza 22-vjeçare e bashkëthemeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, ka zbuluar pa dashje një detaj rreth shëndetit të babait të saj.
Gjatë një interviste në podcastin e njohur Call Her Daddy, të drejtuar nga Alex Cooper, ajo përmendi në mënyrë të rastësishme se Gates ka sindromën e Aspergerit, një formë e spektrit të autizmit.
“Babai im është goxha i ngathët në aspektin social. Ai e ka thënë, se ka Asperger”, u shpreh ajo thjesht gjatë bisedës, ndërsa tregonte se si është të sjellësh të dashurin në shtëpi për ta prezantuar me një nga figurat më të njohura dhe më të përfolura në botë.
Kjo deklaratë ngriti menjëherë dyshime dhe debat në rrjetet sociale, pasi vetë Bill Gates nuk e ka konfirmuar ndonjëherë publikisht një diagnozë të tillë.
Megjithatë, në kujtimet e tij të vitit 2023, Gates kishte përmendur se nëse do të ishte rritur sot, me shumë gjasë do të diagnostikohej me një çrregullim të spektrit autik.
Ai ka treguar për vështirësitë në ndërveprimin social në fëmijëri dhe për tendencat për t’u fiksuar pas temave të caktuara, sjellje që lidhen ngushtë me Aspergerin.
Phoebe shtoi në podcast se sjellja e babait të saj shpesh e bën të ndjehet në siklet personi që ajo prezanton në shtëpi.
Ajo kujtoi një moment të veçantë kur Gates i kishte dërguar në një ballo shkollore me makinë, një situatë që ajo e përshkroi si “shumë e sikletshme, por edhe qesharake”.
Deri më tani, Bill Gates nuk ka reaguar publikisht për komentet e vajzës së tij, por rrëfimi i saj ka nxitur interes të madh publik dhe diskutime të gjera mbi diagnozën dhe përhapjen e çrregullimeve të spektrit autik te personalitetet e njohura.
Çfarë është sindroma e Aspergerit?
Fëmijët me sindromën e Aspergerit ose Autizëm me Funksionim të Lartë e perceptojnë botën ndryshe. Ata shpesh besojnë se gjithçka lëviz me një ritëm të çuditshëm.
Sindroma e Aspergerit u emërua sipas mjekut austriak Hans Asperger. Në vitin 1944, sindroma Asperger u vëzhuga te një grup fëmijësh dhe adoleshentësh të cilët, pavarësisht se kishin shumë karakteristika mbresëlënëse, siç është një nivel i lartë i të menduarit të pavarur dhe një kapacitet për arritje të jashtëzakonshme, kishin vështirësi në reagimin shoqëror dhe paraqitnin vështirësi në përdorimin shoqëror të të folurit, si dhe sjellje shpesh përsëritëse – stereotipie dhe obsesione me objekte specifike.
Sindroma u injorua nga ekspertët për vite me radhë, dhe vetëm në vitin 1981 Lorna Wing, në një artikull, paraqiti fëmijë me karakteristika të ngjashme, duke krijuar një fushë të re kërkimore që më pas u zgjerua ndjeshëm.
Zakonisht, fëmijët me sindromën Asperger kanë inteligjencë mesatare ose të lartë, ndërsa disa prej tyre kanë talente të veçanta. Këta fëmijë dhe të rritur shfaqin disa simptoma të autizmit, por pa vonesa në zhvillimin e tyre të të folurit dhe konjitiv. Kjo simptomatologji specifike hyn në kategorinë e çrregullimeve të zhvillimit, është me etiologji neurobiologjike dhe gjendet më shpesh tek djemtë.
Sindroma e Aspergerit është përfshirë në Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve (ICD-10) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që nga viti 1992 dhe në klasifikimin përkatës në DSM të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë.
Në vitin 2013, botimi i 5-të i DSM-së prezantoi ndryshime të rëndësishme në kriteret diagnostikuese për autizmin, dhe kështu, sot përdoret termi i përgjithshëm Çrregullim i Spektrit të Autizmit.