Park Hyatt Dubai, Armani Hotel Dubai brenda Burj Khalifa, St. Regis Dubai The Palm, Anantara World Islands Dubai Resort, JW Marriott Marquis Hotel Dubai, Radisson Blu Hotel Dubai Media City (të gjitha hotele në Dubai). Lista është e gjatë…
Me turizmin të ngrirë për shkak të situatës aktuale gjeopolitike, Dubai ndalon dhe shfrytëzon rastin për t’u rinovuar.
Sektori i mikpritjes është në pauzë. Shumë prej hoteleve më të njohura dhe luksoze të metropolit emirat mbyllen për restaurim, duke përfituar nga kjo periudhë qetësie për të përditësuar dhomat, restorantet, qendrat spa (të relaksit) dhe shërbimet, me shpresën për të rikthyer së shpejti turistët nga e gjithë bota.
Por rinovimi më i përfolur është ai i Jumeirah Burj Al Arab, simbol i vetë qytetit dhe pjesë e Jumeirah Group, i cili mbyllet për herë të parë që nga hapja për një restaurim të thellë të hapësirave të tij.
Hera e parë që nga hapja në vitin 1999

I inauguruar në vitin 1999, hoteli u bë menjëherë një nga simbolet e mikpritjes luksoze në qytet. Me strukturën e tij në formë vele, ndër më të fotografuarat në botë, dhe një dizajn të brendshëm të pasur me mermer dhe ar, ai kontribuoi në transformimin e horizontit të Dubait.
Atriumi gjigant 180 metra i lartë, restoranti nënujore me mure akuariumi, platforma për helikopterë dhe pishina panoramike janë vetëm disa nga elementët që e kanë bërë unik këtë hotel.
“Shtatë yje”, pse quhet kështu

Shpesh është cilësuar si hotel me “shtatë yje”, edhe pse një kategori e tillë nuk ekziston zyrtarisht. Luks i jashtëzakonshëm: rreth 1 mijë e 790 metra katrorë ari 24 karatësh, mbi 86 mijë e 500 kristale Swarovski të vendosura me dorë dhe më shumë se 30 lloje mermeri të rrallë mbulojnë ambientet.

Qëllimi: ruajtja afatgjatë
Tani ky simbol i Dubait mbyll dritat për një program restaurimi të konceptuar si ndërhyrje afatgjatë, më shumë sesa një rinovim i thjeshtë. Qëllimi është ruajtja e vlerës arkitekturore dhe kulturore të ndërtesës, me kujdes të ngjashëm me restaurimin e një vepre arti.

Sipas drejtuesit të Jumeirah, kjo ndërhyrje shënon një kapitull të ri për hotelin, i cili prej dekadash përfaqëson standarde të jashtëzakonshme në industrinë e mikpritjes.
Mes kujtesës dhe modernitetit
Projekti i drejtuar nga arkitekti i brendshëm Tristan Auer synon një restaurim konservues: ruajtjen e materialeve, identitetit dhe stilit origjinal, duke ndërhyrë vetëm aty ku është e nevojshme për përditësim.
Punimet do të zgjasin rreth 18 muaj dhe do të zhvillohen në faza, me fokus kryesor te ambientet e brendshme. Ideja nuk është transformimi, por rikthimi i balancës, duke ruajtur stilin luksoz që e ka bërë hotelin ikonë globale.

Rihapja pritet në fund të vitit 2027, me shpresën që deri atëherë situata në Lindjen e Mesme të jetë stabilizuar./La Repubblica