Të rinjtë nuk duan më të bëhen influencer

19 September 2026, 22:41Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të rinjtë nuk duan më të bëhen influencer
Të rinjtë nuk duan më të bëhen influencer

Influencer, YouTuber apo krijues përmbajtjeje. Vitet e fundit, këto kanë qenë ndër përgjigjet kryesore të të rinjve amerikanë ndaj pyetjes së vjetër: “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?”.

Por kjo ëndërr duket se po humbet disi shkëlqimin.

Një sondazh i fundit mes adoleshentëve dhe të rinjve në Shtetet e Bashkuara tregon se karriera në mjekësi dhe shëndetësi ka kaluar, ndonëse me një diferencë minimale, dëshirën për t’u bërë krijues përmbajtjeje apo influencer.

Marka e veshjeve PacSun dhe kompania e analizave GlobalData anketuan më shumë se 6 mijë persona të moshës 11 deri në 24 vjeç, të cilët mund të zgjidhnin disa alternativa për karrierën që dëshironin të ndiqnin.

Në vitin 2025, profesioni i influencer-it kryesonte me 22,2%, ndërsa profesionet mjekësore renditeshin të dytat me 19,4%. Në vitin 2026, situata ndryshoi: interesi për t’u bërë influencer ra në 18,8%, ndërsa shëndetësia doli në krye me 19%.

Rënia nuk prek vetëm botën e rrjeteve sociale. Krahasuar me një vit më parë, të rinjtë treguan më pak interes edhe për artin dhe performancën, modën dhe bukurinë, teknologjinë, sipërmarrjen, sportin dhe profesionet e tjera.

E vetmja kategori që shënoi rritje ishte: “Ende nuk jam i sigurt / po përpiqem ta kuptoj”, e cila kaloi nga 13,2% në 14,1%.

Udhëtime luksoze, produkte falas dhe miliona ndjekës vetëm duke postuar në rrjetet sociale – nga jashtë, jeta e një influencer-i mund të duket si një ëndërr.

Megjithatë, të qenit influencer është një punë dhe, si shumë profesione të tjera në ekonominë aktuale, shoqërohet me pasiguri.

Sipas Business Insider, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të arrish sukses të madh si krijues përmbajtjeje, ndërsa konkurrenca për t’u bërë viral është shtuar në një treg gjithnjë e më të mbushur.

Influencer-ët në Shtetet e Bashkuara pritet të fitojnë mbi 21 miliardë dollarë nga marrëveshjet me markat dhe të ardhurat e platformave gjatë vitit 2026. Megjithatë, shtimi i krijuesve në nivelet më të ulëta të tregut ka thelluar pabarazinë e të ardhurave.

Edhe platformat si YouTube po e bëjnë më të vështirë kualifikimin për programet e monetizimit, ndërsa inteligjenca artificiale shihet si një tjetër kërcënim.

Në të njëjtën kohë, vetë rrjetet sociale po përballen me probleme reputacioni. Në vitin 2025, Pew Research Center zbuloi se 48% e adoleshentëve mendonin se rrjetet sociale kanë një “ndikim kryesisht negativ te njerëzit e moshës së tyre”.


Video