
Arrihet shtatzënia e parë me ndihmën e IA dhe robotikës. Rezultati eksperimental, që është kryer në SHBA, në Columbia University, është publikuar në revistën shkencore The Lancet.
Teknika e bashkëpunimit teknologjik është aplikuar mbi një çift, të cilët prej 19 vitesh përpiqeshin të kishin një fëmijë biologjik, por asnjë teknikë dhe përpjekje nuk kishte dhënë rezultat deri më sot.
Arritja është mjaft e rëndësishme, pasi tregon se mund të ketë rezultat pozitiv me ndihmën e teknologjisë në ato raste të infertilitetit mashkullor, që shkaktohet nga një numër shumë i ulët i spermatozoidëve.
Kombinimi i disa teknologjive në metodën STAR, Sperm Tracking and Recover, konsiston në disa hapa, ku së pari një analizë e avancuar merr rreth 8 milionë imazhe. Më pas, IA bën analizimin e imtësishëm për identifikimin e qelizave riprodhuese mashkullore, e hapi i fundit është një mikrorobot, që aktivizohet për t’i tërhequr, në mënyrë që të përdoren për krijimin e një embrioni.
Në rastin në fjalë, bashkëpunimi teknologjik me çiftin që përpiqej prej 19 vitesh, me sistemin STAR, gjeti 2 spermatozoidë, dhe u arrit me sukses krijimi i embrionit, duke nisur shtatzaninë.
Kanë nisur tashmë edhe studimet klinike për të vlerësuar efikasitetin në një numër më të lartë pacientësh.