Shkencëtarët zbulojnë një metodë të thjeshtë të shkatërrimit të kimikateve të pashkatërrueshme

19 August 2022, 19:05Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shkencëtarët zbulojnë një metodë të thjeshtë
Lidhja strukturore e PFAS

Shkencëtarët kanë identifikuar për herë të parë se si të shkatërrojnë "kimikatet e pashkatërrueshme" në një mënyrë me kosto të ulët, thotë një studim i ri.

Studiuesit e kanë lidhur ekspozimin ndaj këtyre substancave, të njohura si PFAS me rreziqe serioze shëndetësore, duke përfshirë kancerin dhe anomalitë në lindje.

Rezistenca e tyre ndaj ujit, vajit dhe njollave i bën ato shumë të dobishme. PFAS përdoren në qindra objekte të përditshme, nga tiganët deri tek make-up. Por, janë këto veti që e bëjnë kaq të vështirë shkatërrimin e tyre.

PFAS do të thotë substanca poli- dhe perfluoroalkaline. Janë rreth 4500 prej këtyre përbërjeve me bazë fluori dhe ato gjenden pothuajse në çdo banesë në tokë në produkte duke përfshirë paketimin e ushqimit, enët e gatimit që nuk ngjiten, çadrat, ngjitësit, letrën dhe bojërat.

Ato përqëndrohen në nivele të ulëta në ujërat e shiut në nivel global, por nëse depërtojnë në ujë ose tokë në nivele të larta, ato mund të bëhen një shqetësim serioz për shëndetin e njeriut.

Hulumtimi nuk ka përfunduar për të përcaktuar se si nivele të ndryshme të ekspozimit mund të çojnë në efekte të ndryshme shëndetësore.

"Ka një lidhje midis ekspozimit dhe rezultateve negative në çdo sistem organi kryesor në trupin e njeriut", thotë për BBC Elsie Sunderland, profesore e kimisë mjedisore në Universitetin e Harvardit.

Metodat ekzistuese për të shkatërruar PFAS, siç është djegia, nuk kanë qenë shumë të suksesshme, ato kërkojnë temperatura jashtëzakonisht të larta, që përkthehet në kosto të lartë.

Hulumtimi i ri, nga shkencëtarët në Universitetin Northwestern, SHBA pretendon se ka zbuluar ‘të pamundurën’ dhe ka shkatërruar PFAS duke përdorur temperatura të ulëta dhe produkte të lira. Kjo mund të jetë shumë e dobishme për të ndihmuar komunitetet që vuajnë nga ndotja e nivelit të lartë, sipas Prof. Sunderland, i cili nuk është pjesë e ekipit hulumtues.

Arsyeja pse PFAS ka qenë historikisht kaq e vështirë për t'u shkatërruar është sepse ato përmbajnë lidhje të shumëfishta karboni dhe fluor, që njihen si lidhjet më të forta në kiminë organike.

Por janë po këto lidhje që i bëjnë ato sa shumë të dobishme për industrinë farmaceutike dhe ushqimore, aq edhe të dëmshme për mjedisin e shëndetin.

Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga Brittany Trang, identifikoi një mekanizëm të ri për të zbërthyer PFAS duke përdorur një kimikat të zakonshëm të quajtur hidroksid natriumi, i cili përdoret për të bërë produkte shtëpiake si sapun, apo qetësues.

Ata synuan një grup atomesh oksigjeni me ngarkesa me të dobta, që qëndrojnë në fund të bishtit të gjatë të lidhjeve karbon-fluor.

Procesi në mënyrë efektive "i preu kokën grupit nga bishti" dhe PFAS filloi të shpërbëhej, duke lënë vetëm produkte që të ndara nuk shkaktojnë asnjë dëm në mjedis e shëndet.

Trang thotë se rezultatet janë "shpresëplota edhe për shkak se sa e thjeshtë, aq edhe e panjohur ishte kjo zgjidhje”.

 


Video