Sekreti i jetëgjatësisë? Shkencëtarët zbulojnë se varet më shumë nga gjenet sesa nga stili i jetesës

31 January 2026, 23:09Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sekreti i jetëgjatësisë? Shkencëtarët zbulojnë se
Sekreti i jetëgjatësisë? Shkencëtarët zbulojnë se varet më shumë nga gjenet sesa nga stili i jetesës

Sekreti i një jete të gjatë mund të jetë më pak i lidhur me zakonet e përditshme dhe më shumë me trashëgiminë gjenetike, sugjeron një studim i ri shkencor. Sipas kërkuesve, gjenet luajnë një rol shumë më të madh në jetëgjatësinë e njeriut sesa është menduar deri tani.

Jetëgjatësia juaj e mundshme është e shkruar në gjenet tuaja, sipas një studimi të ri shkencor. Një stil jetese i shëndetshëm mund ta zgjasë jetën deri në një masë të caktuar, por nëse potenciali gjenetik i një personi është, për shembull, të jetojë deri në moshën 80 vjeç, është shumë e pamundur që ndonjë mënyrë jetese ta çojë atë deri në 100 vjeç.

Ky është përfundimi kryesor i një studimi të publikuar të enjten në revistën Science.

Studimi u drejtua nga Uri Alon i Institutit të Shkencës Weizmann në Izrael dhe u mbështet në analiza të thelluara të të dhënave nga tre grupe binjakësh suedezë, përfshirë edhe binjakë që ishin rritur të ndarë.

Për të testuar sa të përgjithshme ishin gjetjet, studiuesit analizuan gjithashtu të dhënat e 2,092 vëllezërve dhe motrave të 444 amerikanëve që kishin jetuar mbi 100 vjet.

Qëllimi i kërkimit ishte të dallonte faktorët e jashtëm që ndikojnë në jetëgjatësi – si aksidentet apo infeksionet nga faktori i brendshëm, pra trashëgimia gjenetike.

Rezultatet treguan se plakja dhe jetëgjatësia janë kryesisht të trashëguara, një përfundim që bie ndesh me bindjet tradicionale mjekësore që theksojnë rolin vendimtar të dietës, aktivitetit fizik dhe zakoneve të shëndetshme. Këto zakone janë thelbësore për cilësinë e jetës, por sipas studimit ato nuk mund ta kapërcejnë kufirin biologjik që vendosin gjenet.

“Nëse doni të dini sa shanse keni për të jetuar deri në 100 vjeç, shikoni sa gjatë kanë jetuar anëtarët e familjes suaj”, tha Thomas Perls, geriatrik dhe drejtor i studimit të qindvjeçarëve të New England në Universitetin e Bostonit, të dhënat e të cilit u përdorën në analizë.

Sipas tij, mesazhi i studimit është i fortë: njerëzit kanë më pak kontroll mbi jetëgjatësinë sesa mendojnë.

Profesori i epidemiologjisë S. Jay Olshansky nga Universiteti i Illinois e përshkroi studimin si një kujtesë të fortë biologjike.

“Disa prej nesh po ngasin një Mercedes dhe disa të tjerë një Yugo”, tha ai, duke nënkuptuar se jo të gjithë lindin me të njëjtin potencial biologjik.

Përfundimet e studimit përputhen edhe me atë që dihet për organizmat e tjerë të gjallë.

Për të arritur këto përfundime, studiuesit përdorën modele statistikore dhe matematikore për të përjashtuar shkaqet e vdekjes që nuk lidhen drejtpërdrejt me plakjen, si aksidentet apo sëmundjet e rastësishme.

Analizat u fokusuan tek binjakët suedezë të lindur mes viteve 1900 dhe 1935, një periudhë kur – pavarësisht luftërave botërore, Depresionit të Madh dhe pandemisë së gripit – u përmirësuan ndjeshëm higjiena dhe kujdesi mjekësor. Kjo i lejoi studiuesit të vëzhgonin më qartë ndikimin e faktorëve gjenetikë.

Rezultatet u krahasuan edhe me të dhënat e binjakëve danezë të lindur mes viteve 1870 dhe 1900, kur vdekjet nga sëmundjet infektive si kolera dhe difteria ishin shumë të përhapura.

Nga shkaqet e vdekjes të analizuara, studiuesit zbuluan se kanceri ishte më pak i lidhur me gjenetikën, ndërsa demenca ishte sëmundja më fort e ndikuar nga trashëgimia familjare.

Në fund, studimi arriti në përfundimin se gjenet përbëjnë mbi 50 për qind të ndryshimeve në jetëgjatësi brenda një popullsie, shumë më tepër se vlerësimi prej rreth 25 për qind i studimeve të mëparshme.

Sipas Alon, arsyeja e këtij ndryshimi është se studimet e vjetra përfshinin edhe njerëz që kishin vdekur herët nga shkaqe jo të lidhura me plakjen, gjë që ulte rolin e gjenetikës dhe e rrite artificialisht peshën e stilit të jetesës.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se mënyra e jetesës nuk është e parëndësishme. Alon llogariti se zakonet e shëndetshme ose të dëmshme mund të shtojnë ose të shkurtojnë rreth pesë vite nga jetëgjatësia e përcaktuar nga gjenet.

Një person me potencial gjenetik për të jetuar deri në 80 vjeç mund të vdesë në 75 nëse jeton në mënyrë jo të shëndetshme, ose të arrijë në 85 nëse ndjek çdo rregull të shëndetit.

Jo të gjithë shkencëtarët janë plotësisht të bindur. Bradley J. Willcox nga Universiteti i Hawait tha se është e vështirë të ndahet qartë biologjia nga mjedisi, pasi shumë vdekje ndodhin në një zonë gri ku gjenet dhe faktorët e jashtëm ndërthuren.

Megjithatë, ekspertët bien dakord për një pikë: edhe për ata që kanë trashëguar gjenet e jetëgjatësisë, është shumë e lehtë ta shkurtojnë jetën, por jashtëzakonisht e vështirë ta zgjasin përtej kufirit biologjik.


Video