Nëse nuk na jepni paga të barabarta me vlerë më shumë se 1 milionë dollarë (950 mijë euro) secilit, atëhere sezonin e ardhshëm do të largohemi nga 'karriget e kuqe'. Kjo është kërkesa që juria e 'The Voice of Australia' i ka bërë televizonit Channel Seven, si kusht për të qenë sërish dhe sezonin e ri.
Sipas Daily Mail, treshja e trajnerëve e përbërë nga Guy Sebastian, Keith Urban dhe shqiptarja Rita Ora, pagat e të cilëve thuhet se përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit, po e bëjnë këtë kërkesë në emër të Jessica Mauboy, e cila thuhet se fiton më pak nga tre kolegët e saj.
“Të katër trajnerët janë aktualisht me kushte shumë të ndryshme pagese dhe të gjithë, veçanërisht Guy Sebastian, mendojnë se është e padrejtë dhe e papranueshme”, tha një burim i brendshëm për revistën.
Grupi i jurisë së 'The Voice of Australia' duket se janë frymëzuar nga kasti i “Friends”, të cilët në vitin 2002 u mblodhën së bashku për të siguruar që ata të paguheshin në mënyrë të barabartë për dy sezonet e fundit të serialit.