Publikonin foto dhe video denigruese të minoreneve në Instagram, profili menaxhohej nga dy vajza

7 Shkurt 2025, 19:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Profili i Instagramit që për një kohë të gjatë kërcënonte dhjetra vajza minorene nga qyteti i Korçës me publikimin e videove dhe fotove intime, menaxhohej nga dy vajza.

Identifikimi i tyre është bërë i mundur nga policia e Korçës pas denoncimeve të shumta nga familjarët e vajzave të shantazhuara.

Edhe dy vajzat që menaxhonin këtë profil dhe denigronin bashkëmoshataret e tyre janë minorene.

"Në bazë të informacioneve lidhur me faqen e instagramit ku publikoheshin foto, video intime dhe të dhëna me fjalë denigruese për adoleshentët, mësohet se policia ka arritur të identifikojë dy vajza të cilat dyshohet se janë përgjegjëset për këtë faqe. Në vijim pritet të merren masa nga ana e policisë për dy vajzat minorene”, thuhet në njoftimin e policisë.

Skandali u denoncua në media pas pretendimeve se autoritetet nuk po merrnin masa dhe profili në instagram vijonte të qëndronte i hapur. Disa prej vajzave minorene të cilave u janë publikuar fotot raportohet se kanë tentuar vetëvrasjen.

Njoftimi i Policisë Korçë:

Finalizohet operacioni policor “CyberShield”.

Arrestohen 2 shtetase që bullizonin dhe shpërndanin foto dhe shkrime me përmbajtje të papërshtatshme në rrjetin social Instagram.

Pas një hetimi të thelluar dhe intensiv, të kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, u finalizua operacioni policor i koduar “CyberShield”.

Ky operacion ka ardhur pas një denoncimi lidhur me hapjen e një profili në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin shkrime me natyrë bullizuese, denigruese, si dhe shpërndaheshin foto dhe video intime të vajzave të mitura, nxënëse të shkollave të ndryshme në qytetin e Korçës.

Falë bashkëpunimit të ngushtë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale me kompanitë ndërkombëtare Meta Inc. dhe Google Inc., u arrit të siguroheshin provat e nevojshme në kohë të shpejtë, duke mundësuar vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ky bashkëpunim ka luajtur një rol kyç në identifikimin e autorëve dhe në sigurimin e informacionit të nevojshëm për të realizuar arrestimet e bëra.

Nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale:

* P. M, 19 vjeçe, banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin materiale me përmbajtje bullizuese dhe denigruese.

* 17-vjeçare, banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.

Ky operacion ka qenë një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimeve kibernetike dhe njëkohësisht një mesazh i fortë për të gjithë ata që përpiqen të shkelin ligjin dhe të dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë në mjedisin online.

Strukturat kundër krimeve kibernetike në Policinë e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar një mjedis të sigurt në internet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.


Video