Muzika arbëreshe ndez “Porto Palermo Festival”

1 Gusht 2026, 15:50Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Publiku përjetoi performancën e artistit Pierpaolo Petta

“Porto Palermo Festival” vijoi mbrëmjen e 31 Korrikut me performancën e artistit arbëresh Pierpaolo Petta, i ardhur nga Palermo, i cili solli në skenë një udhëtim muzikor mes traditës arbëreshe dhe kulturës shqiptare.

Në atmosferën unike të Kalasë së Ali Pashës, publiku përjetoi një koncert ku historia, kujtesa dhe muzika u shkrinë në një rrëfim artistik që i dha zë rrënjëve të përbashkëta të dy brigjeve të Adriatikut.

Gjatë koncertit, Petta ndau me publikun edhe një vëzhgim domethënës mbi ngjashmërinë e gjuhës arbëreshe me dialektin e Himarës, duke dëshmuar se, edhe pas shekujsh, trashëgimia kulturore dhe gjuhësore vijon të mbetet një urë e gjallë mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.

Porto Palermo Festival vazhdon deri më 16 Gusht me një program që sjell artistë dhe zhanre të ndryshme muzikore në një nga skenat më të veçanta të Mesdheut.

Këtë fundjavë, publiku do të mirëpresë artistin Shama Milan,i cili do të sjellë ritmet dhe energjinë e muzikës latine, ndërsa më 2 Gusht skena do t’i përkasë violinistit Olen Cesari, me një mbrëmje ku muzika klasike ndërthuret me tingujt bashkëkohorë dhe improvizimin, duke premtuar një eksperiencë unike artistike në kalanë e Porto Palermos.

 


Video