Can Yaman ka bërë një reagim në rrjetet sociale pas lajmeve për arrestimin e tij. Protagonisti i serialit “Sandokan” ka ndarë disa foto nga të shkrepura te Koloseu në Romë duke iu drejtuar shtypit italian se nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim si homologët në Turqi.
Ai thotë se nëse lajmi do të kishte qenë e vërtetë, nuk do të ishte liruar kaq shpejt.
“Sërish në Romë! I dashur shtyp italian, shtypi turk është treguar gjithnjë i keq me mua, por kjo s’është gjë e re! Por ju jo! Ju lutem, mos bëni gabimin e kopjimit dhe shtypjes së lajmeve që vijnë nga Bosfori. Mendoni se vërdallisem me drogë në një periudhë kur policia po bën hetime gjithëpërfshirëse dhe po arreston shumë personazhe të famshëm? Nëse do të ishte e vërtetë, nuk do të isha liruar brenda një kohe kaq të shkurtër dhe të rikthehesha ditën tjetër në Itali. Ju dua.”
View this post on Instagram
Aktori turk me origjinë shqiptare u ndalua më 10 janar në Turqi në kuadër të një operacioni për trafikimin dhe konsumimin e substancave narkotike mes personazheve të famshëm e gazetarëve në Stamboll.
Policia kreu arrestime në nëntë klube nate në Stamboll, duke arrestuar disa shpërndarës droge dhe menaxherët e këtyre pikave ku shiteshin lëndët narkotike.
Në javët e fundit, gjatë këtij operacioni janë arrestuar mbi 20 personazhe të famshëm nga industria e argëtimit. Operacionet janë kryer nga Zyra e Hetimit kundër Kontrabandës, Trafikimit të Lëndëve Narkotike dhe Krimeve Ekonomike.
36-vjeçari u la i lirë pas disa orësh për të vijuar me gjithë kalendarin e tij.
Sipas mediave turke, Yaman nuk kishte qenë në shënjestër për t’u hetuar, por lirimin e tij e ndihmoi fakti që analizat toksikologjike rezultuan të pastra.
Veç klubeve, policia kontrolloi edhe Bebek Hotel në pronësi të producentit Muzaffer Yildirim, i cili ndodhet në burg prej 5 janarit nën akuzën se organizonte festa private ku përdorej drogë. Kontrollet, ku morën pjesë edhe qentë për zbulimin e drogës, zgjatën tri orë dhe veç Yaman, u arrestuan aktorja Selen Gorguzel, ish-moderatorja Nilufer Batur Tokgoz dhe yje si Ayse Saglam, Ceren Alper, Dogukan Gungor, influenceri Burak Altindag dhe modelja Ceyda Ersoy.