
Eurovizioni do të mbahet këtë vit në Bazel të Zvicrës, në datat 13, 15 dhe 17 maj. Do të jetë hera e tretë që Zvicra është organizatore e këtij eventi dhe duket se do të ketë shumë zhvillime teksa sot një shtet njoftoi se po tërhiqet nga gara.
Konkretisht, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, drejtori i Moldova 1 dhe kreu i delegacionit moldav njoftuan se Moldavia nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e këtij viti.
"Vendimi nuk ishte i lehtë, por ishte i domosdoshëm në kontekstin e dhënë. Përzgjedhja kombëtare e këtij viti vuri në pah disa sfida, si rënia e interesit publik dhe cilësia e përgjithshme e këngëve dhe performancave artistike. Kjo ngjarje krijoi një perceptim negativ tek ekspertët dhe publiku, duke nënvizuar nevojën për një reformë thelbësore të procesit të përzgjedhjes”, tha Corneliu Durnescu i Moldova 1.
Po ashtu, pjesëmarrja në konkurs sjell kosto të konsiderueshme për transmetuesin. Këto përfshijnë organizimin e finales, promovimin e artistit, shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të ekipit, prodhimin e skenës, pajisjet teknike dhe kosto të tjera. Tarifa vjetore e pjesëmarrjes vetëm në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU) arrin në 21,486 euro.