Vetëm 13 vjeç, sopranoja shqiptaro-kanadeze Isabel Eve Poro po tërheq vëmendjen e skenave më të rëndësishme të muzikës klasike ndërkombëtare me një pjekuri artistike që rrallë shihet në këtë moshë.
Në një prej paraqitjeve të saj më të spikatura, ajo interpretoi solo në amfiteatrin legjendar Arena di Verona, gjatë mega-eventit kulturor “La Grande Sfida – InConTrArti”, të prezantuar nga figura e njohur e televizionit italian Amadeus.
E shoqëruar nga Orchestra Ritmico Sinfonica Italiana nën drejtimin e maestros Diego Basso, Isabel Eve solli në skenë interpretimin e veprave të Ennio Morricones, duke fituar duartrokitje të gjata dhe ovacione nga publiku. Një performancë që e vendosi atë në qendër të vëmendjes si një zë i veçantë i brezit të ri.
Rrugëtimi artistik i Isabel Eve zhvillohet mes Veronës dhe Berlinit, ku ajo është e angazhuar në projekte të rëndësishme muzikore, përfshirë bashkëpunime me institucione si Deutsche Oper Berlin. Ky formim ndërkulturor i ka dhënë asaj një profil të veçantë interpretues, të ndërtuar mbi disiplinë, ndjeshmëri artistike dhe kërkim të vazhdueshëm teknik.
Në këtë rrugëtim, ajo ka bashkëpunuar edhe me emra të njohur të muzikës, mes tyre pianistja shqiptare Elda Laro dhe sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, duke e forcuar më tej formimin e saj artistik.
Isabel Eve Poro është një talent që po rritet mes skenave europiane dhe në çdo dalje publike po konfirmon se ajo dhe zëri i saj do të lënë gjurmë të rëndësihme në muzikën klasike.