
Big Mama ishte e ftuar në emisionin e Robert Berishës, “Robi plaket kur don vetë” dhe moderatori ndau me publikun një histori kur aksidentalisht, ai dhe këngëtarja kishin marrë viagra.
“Do shkonim në Amerikë dhe e kishim udhëtimin nga Norvegjia, në Oslo. Shkuam në banesë, që të rrinim nja dy orë, te miqtë tanë të përbashkët. Vjen e-mail që fluturimi ishte shtyrë për të nesërmen. Gjejmë një kokërr si mjaltë, i vogël dhe miqtë na thanë që të bën mirë për shëndetin. Kurrë s’e kisha parë dhe mendova se ishte e mirë për shëndetin”, tha Roberti, më pas, Big Mama shtoi se e kishte pirë edhe ajo.
Me pak fjalë, bëhej fjalë për viagrën.
Nisur nga kjo histori, të tregojmë se ç’ndodh kur një grua merr viagra për burra.
Ç'është viagra?
Viagra është një ilaç që merret zakonisht me recetë dhe përdoret për disfunksionin erektil. Përbërja aktive te viagra quhet sildenafil, i cili përmirëson zgjerimin e enëve të gjakut që ndodhen në penis, duke e bërë më të lehtë arritjen e ereksionit. Fillimisht, viagra u krijua për të zgjeruar enët e gjakut në zemër, për lehtësimin e presionit të lartë të gjakut dhe dhimbjet e gjoksit. Fakti që funksionoi mirë për ereksionin ishte thjesht një aksident i lumtur.
A është konsumimi i saj i zakonshëm?
Para së gjithash, të themi se nuk është një ngjarje kaq e rrallë dhe se ka shumë gra që kanë provuar viagra për burra. Po ashtu, edhe përdorimi i viagrës nuk është aspak i rrallë, pasi njerëzit priren të duan të kenë një jetë seksuale të shëndetshme dhe aktive.
Megjithatë, efektet e konsumimit të viagrës te gratë nuk janë njësoj si për burrat. Nuk ka një studim që të konfirmojë se viagra shton ose përmirëson dëshirën seksuale të grave, megjithatë, ka të tjera alternativa dhe ilaçe që përmirësojnë libidon.
Para se një grua të marrë një pilulë viagra, duhet të dijë se nuk është një ilaç i miratuar nga ekspertët dhe shkencëtarët se funksionon për gratë. Marrja e pilulës mund të mos jetë domosdoshmërisht e dëmshme, por siç e thamë më sipër, me shumë gjasa, nuk do të rrisë dëshirën seksuale të një gruaje.
Megjithatë, sipas studimeve të vitit 2014 dhe 2022, ilaçi zgjeron enët e gjakut në organet gjenitale të një gruaje, duke çuar në ënjtje të klitorit dhe rritje të nivelit të lubrifikimit, çka do të thotë se mund të sjellë një eksitim në aspektin fizik, por sërish, nuk rrit dëshirën seksuale.
A ka viagra për gra?
Po, ka dhe janë aprovuar nga shkencëtarët. Ato janë ilaçe dhe quhen “Addyi” dhe “Vyleesi”. Të dyja përdoren për trajtimin e libidos së ulët. Ato nxisin aktivitetin e sinjaleve në trurin tënd, të quajtur ‘neurotransmetues’, të cilët të ndihmojnë të ndihesh e eksituar. Në rastin e Addyi, ilaçet merren përditë, edhe nëse nuk bën seks. Ndërsa për Vyleesi, merren vetëm kur të duhet. Theksojmë se nuk ka asnjë ilaç që përmirëson aktin e seksit. Si këto, ashtu dhe viagra, thjesht të sjellin dëshirën për të bërë seks.
Nëse je duke hasur sfida në jetën tënde seksuale, të sugjerojmë që të ndiqesh me mjekë specifikë, për të marrë kura specifike./Anabel.al