Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00, në rend dite 4 interpelanca dhe komisioni për Territorialen

15 October 2026, 08:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00, në rend dite 4 interpelanca
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi zhvillon sot, 15 tetor, në orën 10:00, seancën plenare me një rend dite të ngjeshur, ku parashikohen katër interpelanca me ministrat e Brendshëm, Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Financave, shqyrtimi i gjashtë projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Seanca pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të dhunshme të një dite më parë, kur demonstruesit sulmuan disa institucione shtetërore, përfshirë Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendit dhe disa ministri.

Në fokus të seancës do të jetë interpelanca urgjente e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me reagimin e policisë ndaj protestuesve. Kërkesa për interpelancën mban datën 27 korrik, kur në detyrë ishte ende Besfort Lamallari.

Gjithashtu, deputetët do të zhvillojnë dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. E para, e kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj, lidhet me autostradën Milot-Balldre, ndërsa e dyta, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi, ka në fokus termocentralet lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 2” në Vlorë.

Një tjetër interpelancë është parashikuar me ministrin e Financave, Petrit Malaj, me kërkesë të deputetit Tedi Blushi, për masat fiskale që synojnë uljen e çmimeve.

Pjesë e rendit të ditës është edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Komisioni do të ketë si funksion rishikimin e kompetencave të bashkive, ndërsa Partia Demokratike pritet të refuzojë pjesëmarrjen në të.

Përveç këtyre çështjeve, Kuvendi do të shqyrtojë gjashtë projektligje që lidhen me mbrojtjen e profesionit të avokatit, bashkëpunimin për kontrollet e përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut, shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të drejtat e autorit, si dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Seanca do të përmbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.


Video