
Erjon Vishkulli është 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Pamjet e publikuara nga protesta treguan 28-vjeçarin me fytyrën e mbuluar nga gjaku, pas plagosjes gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se është goditur nga një plumb gome i përdorur gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestuesve. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi mjetin që ka shkaktuar plagosjen dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.

Vishkulli është një emër i njohur për tifozët e futbollit shqiptar. Ai është pjesë e përfaqësisë së grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe prej vitesh ndjek Kombëtaren shqiptare, duke qenë një nga figurat aktive të tribunave kuqezi.
Përtej pasionit për futbollin, familja e tij zotëron një biznes të prodhimit të vajit të ullirit në zonën e Elbasanit.
Këtë herë, 28-vjeçari ishte në rrugët e kryeqytetit si protestues, por përfundoi i plagosur.