
Teksa ka shpërndarë turmën në rrugët e kryeqytetit, Policia ka vijuar edhe me shoqërimet e protestuesve, të cilët ishin pjesë e protestës kombëtare të studentëve të kësaj të shtune.
Tanimë rrugët e Tiranës janë të boshatisura, ndërkohë që patrullojnë makinat policore.
Në bulevard sakaq, ka nisur pastrimi nga gurët dhe sendet e tjera të forta të hedhura gjatë përplasjes me Policinë.
Tensione dhe përplasje të shumta janë regjistruar protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike dhe të rinjtë këtë të shtunë në kryeqytet.
Çfarë ndodhi gjatë protestës së sotme
Protesta që nisi e qetë, por përfundoi shumë shpejt në përplasje të dhunshme mes protestuesve që tentuan t’i vënë flakën institucioneve shtetërore dhe atyre kulturore, ndërsa policia u përpoq të shpërndajë turmat duke përdorur ujë, gazlotsjellës dhe plumba gome.
Palët nisën të ndara tubimin.
Të parët që zbritën në bulevard ishin mbështetësit e Sali Berishës, të cilët pasi i vunë flakën ulëseve të vendosura për dialog me studentët, iu bashkuan të rinjve në Ministrinë e Arsimit.
Pak minuta qetësi dhe thirrjet për revolucion e largimin e kryeministrit ia lanë vendin dhunës.
Përshkallëzimi i situatës nisi fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit aty ku protestuesit pasi i vunë flakën kazanëve të mbeturinave hodhën gurë e lëndë piroteknike në drejtim të policisë, e cila iu kundërpërgjigj me ujë e gaz lotsjellës.
Pas ministrisë së Arsimit, fushëbeteja u zhvendos në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku target i sulmeve ishte selia e qeverisë.
Sulmeve të protestuesve policia iu kundërpërgjigj jo vetëm me hedhjen e ujit e gazit lotsjellës, por edhe përdorimin e plumbave të gomës.
Pas paralizimit të disa prej akseve në qendër të kryeqytetit, Ministria e Brendshme dhe ajo e Mjedisit u bënë objekt i sulmit të radhës, duke i vënë flakën kësaj të fundit.
Shënjestrës së protestuesve nuk i shpëtoi as Teatri i Kukullave.
Mjaftuan vetëm pak minuta e përplasja përshkallëzoi në sheshin “Skënderbej”, aty ku pas hedhjes së lëndëve piroteknike e molotovëve nga protestuesit që mbanin shkopinj në duar, policia reagoi me gaz lotsjellës e plumba gome.
Në pak minuta thuajse e gjithë qendra e kryeqytetit u kthye në një arenë lufte, ku pati edhe të lënduar nga radhët e policisë dhe protestuesve.
Në orët e mbrëmjes, protestuesit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave, kioskave dhe kanë shkatërruar vitrinat e disa dyqaneve në Tiranë, mes tyre edhe të një banke të nivelit të dytë në zonën e “Vasil Shantos”.
13 të lënduar
Ndërkohë, 13 persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalet dhe poliklinikat e Tiranës pas lëndimeve të marra gjatë protestës së sotme.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 9 persona, mes tyre 7 protestues dhe 2 përfaqësues të medias.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur një protestues dhe një efektiv policie. Të dy kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar nga spitali. Dy efektivë të tjerë policie, të lënduar në sy, janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2 në Tiranë.