
Komisioni për Legjislacion e ka miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Nëntë deputetë të pranishëm votuan në favor, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Projektligji pritet të kalojë tani në seancën e Kuvendit, e cila ka nisur në orën 09:00.
Pika kryesore e ditës do të jetë votimi i Ligjit për Specialen. Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale