Zhduket në Donetsk të Ukrainës amerikani nga Teksasi që luftoi krah separatistëve pro-rusë

12 Prill 2024, 18:18Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Russell Bentley me pasaportën ruse

Russell Bentley, një amerikan që luftoi kundër forcave ukrainase, është zhdukur në rajonin e kontrolluar nga Rusia, Donetsk në Ukrainën lindore, tha policia të premten, duke shtuar se kishin nisur kërkimet për gjetjen e tij.

Sipas policisë, Bentley u zhduk më 8 prill. Gazeta online e lajmeve “Mash” tha se ai ishte zhdukur pasi një zonë në qytetin e Donetsk u bombardua nga forcat ukrainase.

“Mash” citoi gruan e tij, e cila tha se se ai kishte shkuar për të parë nëse dikush kishte nevojë për ndihmë, por nuk ishte kthyer më. Ajo tha se kishte gjetur makinën e tij me kapelën e bejsbollit në të së bashku me celularin e tij të thyer dhe një palë syze.

64-vjeçari Bentley është një mbështetës i vetëshpallur i forcave pro-ruse në Ukrainë.

Ai u bashkua me luftëtarët pro-rusë në Ukrainën lindore në vitin 2014 dhe përdori pseudonimin ushtarak "Texas", shkruan agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.

RIA thotë se Bentley më vonë kishte lënë armët për gazetarinë dhe kishte punuar me agjencinë e lajmeve Sputnik, një ent tjetër shtetëror, si dhe kishte marrë nënshtetësinë ruse.

Mediat shtetërore ruse e kanë përshkruar Bentley-n si një korrespondent lufte.

Në vitin 2022, revista Rolling Stone zhvilloi një intervistë me Bentley-n me titull “Historia e çuditshme e mënyrës sesi një i majtë i fortë i Teksasit u bë një propagandues i vijës së parë të Putinit”.

Video