Hungaria po voton në një klimë të tensionuar dhe të pasigurt, me sondazhet dhe mobilizimin e qytetarëve që sugjerojnë një ndryshim të mundshëm historik. Megjithatë, analistët bëjnë thirrje për kujdes, duke paralajmëruar se rezultati mbetet i hapur dhe i rrethuar nga shumë paqartësi.
Sipas sondazhistit Endre Hann nga Median, i njohur për parashikime të sakta edhe në zgjedhjet e mëparshme, opozita ka fituar terren. Por sfidat janë të shumta, duke përfshirë edhe rrezikun e kontestimit të rezultatit zgjedhor nga kryeministri aktual Viktor Orbán.
Regjisori dhe shkrimtari Andras Vagvolguy e konsideron këtë votim si më të rëndësishmin që nga viti 1990, kur Hungaria zhvilloi zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit. Ai paraqet katër skenarë të mundshëm për rezultatin:
Superfitore e Orbán
Në skenarin më pak të mundshëm, Orbán siguron një tjetër shumicë prej dy të tretash. Kjo do të forconte më tej kursin e tij iliberal dhe do ta afronte vendin me modele autoritare si Bjellorusia. Politologu András Bíró-Nagy paralajmëron për rritje të presionit ndaj opozitës dhe kritikëve.
Një zhvillim i tillë shqetëson edhe median e pavarur.
Gazeta online Telex, e krijuar pas mbylljes së Index, druhet për mbijetesën e saj. Drejtori Tamás Német paralajmëron se një fitore dërrmuese e partisë Fidesz mund të çojë në falimentimin e mediave të pavarura përmes ligjeve të reja.
Fitore me shumicë të thjeshtë për Orbán
Në këtë rast, Orbán do të mbetej në pushtet, por me një opozitë më të fortë në parlament. Ai mund të kërkojë aleanca me parti të tjera të djathta, përfshirë ato që mbështesin daljen nga Bashkimi Evropian. Sipas sociologut Tibor Dessewffy, Orbán e përdor BE-në më shumë si një burim përfitimi ekonomik sesa si një projekt politik për t’u ndjekur plotësisht.
Fitore e opozitës pa super shumicë
Nëse opozita, e përfaqësuar nga partia Tisza, fiton shumicën e thjeshtë, do të kemi ndryshim qeverie, por jo të sistemit. Institucionet kryesore do të mbeteshin nën ndikimin e Fidesz, duke kufizuar fuqinë reformuese të qeverisë së re. Reformat e kërkuara nga Brukseli për shtetin e së drejtës do të mbeteshin të vështira për t’u zbatuar pa një shumicë të cilësuar.
Super shumicë për opozitën
Në skenarin më drastik, një fitore e thellë e opozitës do të mundësonte ndryshime rrënjësore. Qeveria e re do të kishte mundësi të sfidonte strukturat ekzistuese të pushtetit dhe të niste hetime ndaj rrjetit të afërt me Orbán, i cili sipas hetimeve të ndryshme ka përfituar nga fondet publike dhe ato të BE-së.