“Irani nuk do ta ketë kurrë atomiken”, Trump paralajmëron bllokadë në Ngushticën e Hormuzit. Putin ofrohet si ndërmjetës

12 Prill 2026, 15:49Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trump dhe Rubio

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë “bllokimin e çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit”.

Në një postim të gjatë në rrjetin social Truth Social, ai u shpreh se negociatat e fundit “shkuan mirë” dhe se “shumica e pikave u ranë dakord”, por theksoi se çështja kryesore, ajo e armës bërthamore, mbeti pa zgjidhje.

Trump tha se në një moment mund të arrihet një marrëveshje për kalimin e lirë në ngushticë, por sipas tij, Irani e ka penguar këtë proces duke pretenduar se mund të ketë mina detare në zonë.

Në të njëjtin reagim, ai bëri të ditur se ka udhëzuar Marinën amerikane të ndalojë çdo anije në ujërat ndërkombëtare që ka paguar tarifa ndaj Iranit, si dhe të ndërhyjë për të shkatërruar minat e vendosura në Ngushticën e Hormuzit.

“Askush që paguan një taksë të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur”, u shpreh Trump, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj forcave amerikane apo anijeve civile do të përballet me reagim të ashpër.

“Bllokada do të fillojë së shpejti”, shtoi ai.

Në një postim të dytë, Trump akuzoi Iranin se nuk ka mbajtur premtimin për hapjen e ngushticës, duke theksuar se kjo ka shkaktuar pasoja për shumë vende në mbarë botën.

Ai gjithashtu foli për negociatat e zhvilluara në Islamabad, duke thënë se ishte informuar nga zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe negociatori Jared Kushner. Trump vlerësoi edhe rolin e kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif në këto bisedime.

Sipas tij, pas rreth 20 orësh negociatash, mbetet një çështje thelbësore: Irani nuk është i gatshëm të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore.

“Në shumë aspekte, pikat për të cilat u ra dakord janë më të mira sesa vazhdimi i operacioneve ushtarake, por ato nuk kanë rëndësi përballë rrezikut që paraqet energjia bërthamore në duart e një vendi të paqëndrueshëm”, përfundoi Trump.

Putin ofrohet si ndërmjetës

Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij iranian Masoud Pezeshkian se është gati të kontribuojë në përpjekjet e ndërmjetësimit për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, tha Kremlini.

"Vladimir Putin theksoi gatishmërinë e tij për të lehtësuar më tej kërkimin e një zgjidhjeje politike dhe diplomatike për konfliktin dhe për të ndërmjetësuar përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme", tha Kremlini në një njoftim për shtyp pas telefonatës.


Video