
Tensionet mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë rritur sërish për Ngushticën e Hormuzit, pas deklaratave kontradiktore mbi praninë dhe aktivitetin e anijeve ushtarake amerikane në këtë zonë strategjike.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se dy anije luftarake, USS Frank E. Peterson dhe USS Michael Murphy, kanë kaluar nëpër ngushticë si pjesë e një misioni për pastrimin e minave detare. Sipas deklaratës, operacioni synon të garantojë sigurinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, ndërsa minat dyshohet se janë vendosur nga Garda Revolucionare Islamike.
Por këto pretendime janë hedhur poshtë menjëherë nga autoritetet iraniane. Zëdhënësi i shtabit qendror Khatam al-Anbiya deklaroi se nuk ka pasur asnjë kalim të anijeve amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se çdo lëvizje detare në këtë zonë monitorohet plotësisht nga forcat e armatosura iraniane. Sipas tij, deklaratat e SHBA-së janë të pavërteta dhe synojnë të krijojnë tensione të panevojshme.
Kjo përplasje deklaratash vjen në një moment delikat, kur përfaqësues të SHBA dhe Iranit kanë nisur bisedime direkte në Islamabad, Pakistan. Edhe pse palët kanë hyrë në negociata me qëndrime të forta, raportimet flasin për disa sinjale pozitive në çështje kyçe, përfshirë sigurinë rajonale, tensionet në Lindjen e Mesme dhe çështjen e aseteve iraniane.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kritike për tregtinë globale të naftës dhe çdo incident apo përshkallëzim në këtë zonë ka potencialin të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe stabilitetin rajonal.