Sulmi me dron i Iranit ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Riad ka shkaktuar dëme shumë më të mëdha nga sa ishte bërë publik fillimisht.
Kështu raporton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm amerikanë.
Sipas raportimit, dy dronë shpërthyen në një zonë të sigurt të kompleksit diplomatik më 3 mars, duke dëmtuar rëndë tre kate të ndërtesës dhe përfshirë edhe stacionin e inteligjencës amerikane.
Zyrtarët thanë se zjarri i shkaktuar nga shpërthimet zgjati për rreth 12 orë, ndërsa disa pjesë të ambasadës u dëmtuan në mënyrë të pakthyeshme.
Ndryshe nga deklaratat fillestare të autoriteteve të Arabia Saudite për dëme të kufizuara, burimet amerikane theksojnë se ndikimi i sulmit ishte shumë më i rëndë.
Sipas detajeve, droni i parë depërtoi mbrojtjen ajrore të zonës diplomatike dhe goditi kompleksin, ndërsa një dron i dytë shpërtheu menjëherë pas tij, duke zgjeruar dëmet.
Sulmi ndodhi gjatë natës, në një orar kur ndërtesa nuk ishte e mbushur me personel. Zyrtarët theksojnë se nëse do të kishte ndodhur gjatë ditës, mund të kishte pasoja të rënda me shumë viktima.
“Irani arriti të prodhojë një armë vendase, ta lëshojë në distanca të mëdha dhe ta godasë ambasadën e kundërshtarit të tij kryesor, çka do të thotë se mund të kishte goditur çdo objektiv që dëshironte në qytet”, tha ish-zyrtari i CIA-s, Bernard Hudson.
Ai shtoi se mungesa e transparencës për dëmet reale rrit dyshimet se pasojat mund të jenë edhe më të mëdha se sa pranohet publikisht.
Sulmi ndaj ambasadës është pjesë e një vale më të gjerë sulmesh me raketa dhe dronë nga Irani dhe aleatët e tij ndaj objektivave amerikane në rajon, përfshirë baza ushtarake dhe përfaqësi diplomatike në disa vende të Lindjes së Mesme.