Një vullnetar britanik është vrarë gjatë luftimeve kundër ushtrisë ruse në Ukrainë.
22-vjeçari Samuel Newey kishte mbi një vit që ndodhej në Ukrainë dhe luftonte krah forcave vendase.
Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vëllai i tij përmes një postimi në Facebook ku shkruan: “Vëllai im i vogël Sam është vrarë gjatë luftimeve në Lindje të Ukrainës. Nuk kam fjalë të përshkruaj se sa i lënduar jam”.
Samuel Newey sapo kishte mbushur 21-vjeç kur vendosi të udhëtonte në Ukrainë “për të kundërshtuar imperializmin rus”, shkroi vëllai i tij në një postim në Facebook.
“Jo vetëm që je vëllai im i vogël, por je një njeri i jashtëzakonshëm, një ushtar i mirë dhe një nga njerëzit më të guximshëm që kam pasur privilegjin të njoh ndonjëherë”, shkroi vëllai i tij.
“Faleminderit shumë që je pjesë e jetës sime për këto 22 vite. Të dua gjithmonë vëlla”.