Thirrjet publike për vrasjen e Albin Kurtit, një person i arrestuar me urdhër të Prokurorisë

31 August 2023, 16:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Thirrjet publike për vrasjen e Albin Kurtit, një person i arrestuar me
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar arrestimin e një shtetasi për thirrje ekstremiste ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Prokuroria thotë se i nxitur nga debati në një emision televiziv ku u bë thirrje për vrasjen e Albin Kurtit, ky shtetas ka bërë një postim me përmbajtje të ngjashme në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, “ i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “Debat Plus’’,  të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë”.

Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, ndaj këti shtetasi është dhënë masa arrest me burg për 48 orë.

Kujtojmë se gjatë emisionit televiziv mbrëmjen e djeshme, kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku bëri një deklaratë të fortë që u interpretua si kërcënim direkt me vdekje ndaj Kurtit. Klinaku u mor në pyetje nga prokurorët dhe deklaroi se fjalët e tij ishin nxjerrë jashtë kontekstit.

Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje sot rapsodin e njohur shqiptar nga Drenasi, Nuredin Gashi i njohur si ‘Nur Drenica’.

“E kam thënë dhe e them prapë, nuk e marr tragjike deklaratën e Faton Klinkaut sepse atdheu është më me vlerë sesa të gjitha. Konsideroj se çdo njeri i cili bën të këqija, siç bën Albin Kurti, dhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse është tradhti ndaj atdheut. Konsideroj se partia e Kurtit dhe stafi i vet janë tradhtarë të vendit”, kishte deklaruar Gashi.


Video