Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ironizuar kur është pyetur në lidhje me mungesën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Samitin e Berlinit, për të cilin tha se nuk i mungoi.
‘Nuk e di pse nuk ka ardhur për besë, edhe nuk është që na mungoi fort. Ndoshta ndokujt, po sigurisht që jo mua’- deklaroi Kurti.
Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se duke marrë parasysh se në samit u bisedua për situatën në Ukrainë, Vuçiç është frikësuar të jetë i pranishëm dhe se sipas tij do të ishte i vetmuar.
‘Bëhet fjalë për një samit në të cilin qartazi nga secili folës dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe sidomos çështja me energjinë ku dihet se gazin e ka shndërruar në armë lufte presidenti despotik, Putin.
Dihet që për një situatë të tillë është frikësuar të jetë i pranishëm ku qartazi do të ishte i vetmuar andaj edhe siç ka vepruar jo rrallë herë, sakrifikon dikënd tjetër në vend se t’i dalë në ballë detyrës dhe qëndrimit të shtetit ku është president’ - theksoi Kurti.

Të enjten në Berlin, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar 3 marrëveshje të përbashkëta rajonale.
Marrëveshjet e nënshkruara janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vjen pas gati dy viteve negociata.