
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është takuar me Ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, me të cilën ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi, për integrimin evropian të Serbisë dhe për bashkëpunimin rajonal bëri të ditur Presidenca serbe përmes një njoftimi.
Vuçiç dhe Donfried po ashtu kanë biseduar për qëndrimin e Beogradit karshi situatës në Ukrainë, por edhe për diversifikimin e burimeve të energjisë së Serbisë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit, Vuçiç ka theksuar se nisma “Ballkani i Hapur” është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, duke shtuar se kjo iniciativë është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nisma “Ballkani i Hapur” është iniciuar në tetor të vitit 2019 nga udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe thuhet se ka për qëllim që të lehtësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit në mes të këtyre tri shteteve.
Gjatë takimit, Vuçiç tha po ashtu se Serbia ka rritur eksportet në Shtetet e Bashkuara për 100 për qind krahasuar me vitin 2010, duke shtuar se ai mirëpret prezencën e kompanive amerikane në shtetin e tij.
Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Vuçiç tha se Serbia ka përmbushur zotimet e saj, por autoritetet e Kosovës nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Ky proces ndërmjetësohet nga BE-ja.
Ndërkaq, Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se SHBA-ja është e përkushtuar që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE dhe përsëriti se ky është një prej prioriteteve të politikës së jashtme amerikane për këtë rajon.
Ajo po ashtu mirëpriti nismën “Ballkani i Hapur” dhe qëllimin e Serbisë që të përqendrohet në çështjet ekonomike të bashkëpunimit rajonal.
Sipas një deklarata të mëhershme të Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do t’i bëjë thirrje Serbisë që të bëjë reformat për integrim dhe të promovojë stabilitet dhe prosperitet rajonal. Po ashtu, në deklaratë u përsërit qëndrimi që Serbia dhe Kosova duhet të rinisin dialogun e udhëhequr nga BE-ja.
Në takime morën pjesë edhe i dërguari i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Ndërkaq, nga pala serbe i pranishëm ishte ministri i Jashtëm, Nikolla Selakoviç dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Ambasada amerikan në Beograd tha përmes Twitterit se partneriteti me Serbinë është shumë i rëndësishëm për Uashingtonin.