Vrasja e regjisorit të njohur amerikan dhe gruas së tij, arrestohet djali i tyre

15 Dhjetor 2025, 18:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reine

Nick Reiner, djali i dytë i regjisorit dhe aktorit të njohur hollivudian Rob Reiner, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, pasi Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, u gjetën të vdekur në banesën e tyre në Los Anxhelos.

Nick Reiner, 32 vjeç, është një nga tre fëmijët e çiftit.

Ai ka punuar si skenarist dhe njihet veçanërisht si bashkautor i skenarit të filmit “Being Charlie” (2016), i cili u drejtua nga vetë Rob Reiner.

Filmi, që trajton historinë e një adoleshenti të varur nga drogat, ishte pjesërisht i bazuar në betejat personale të Nick Reiner me varësinë, siç kishte deklaruar ai për revistën People në kohën e publikimit.

Policia po heton ngjarjen në një lagje luksoze të qytetit dhe vdekjet po trajtohen si një vrasje e dyshuar.

Lajmi tronditës ka shkaktuar reagime nga zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Kalifornisë. Ish-presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, shprehën pikëllim për ngjarjen tragjike.

Reagime pati edhe nga kryebashkiakja e Los Angelesit, Karen Bass, dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në rrjetet sociale, duke kritikuar Reinerin dhe duke sugjeruar, pa paraqitur prova, se dy vdekjet “raportohet” se kanë ndodhur “për shkak të zemërimit që ai u shkaktoi të tjerëve” me atë që e quajti “Trump Derangement Syndrome”.

Rob Reiner ishte i njohur si një kritik i zëshëm i presidentit.

Rob Reiner mbetet një nga emrat më të mëdhenj të kinemasë amerikane, i njohur për regjinë e filmave ikonikë si When Harry Met Sally, This Is Spinal Tap, The Princess Bride, Stand By Me, Misery dhe A Few Good Men.

Pas lajmit tronditës, figura të rëndësishme të Hollivudit dhe politikës kanë shprehur ngushëllimet e tyre. Përveç karrierës artistike, Reiner ishte edhe një mbështetës i fuqishëm i kauzave liberale dhe i politikës demokrate.


Video