Vdes moshën 55-vjeçare shkrimtarja britanike Sophie Kinsella, autore e serisë së famshme “Shopaholic”

10 Dhjetor 2025, 18:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sophie Kinsella

Shkrimtarja britanike Sophie Kinsella, autore e serisë së famshme “Shopaholic”, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare.

Familja e saj njoftoi se ajo u shua pas një beteje me glioblastomën, një formë agresive e kancerit në tru, të diagnostikuar në vitin 2022. Në deklaratë thuhet se Kinsella u nda nga jeta paqësisht, e rrethuar nga familja dhe të afërmit.

Librat e saj kanë shitur mbi 50 milionë kopje në më shumë se 60 vende dhe janë përkthyer në mbi 40 gjuhë. Bota letrare ka shprehur dhimbjen dhe vlerësimin e thellë për shkrimtaren, e cila njihej për humorin dhe personazhet e paharrueshme.

Botuesi i saj e përshkroi Kinsellën si një zë unik që ngriti nivelin e komedisë romantike. Kolegia e saj Jill Mansell e cilësoi atë jo vetëm shkrimtare të jashtëzakonshme, por edhe njeri të mrekullueshëm. Kinsella lindi në Londër dhe studimet i nisi në muzikë, përpara se të studionte filozofi, politikë dhe ekonomi në Oksford, raporton BBC.

Ajo botoi romanin e parë në moshën 24-vjeçare, ndërsa fama e saj shpërtheu me librin “The Secret Dreamworld of a Shopaholic”. Personazhi Becky Bloomwood u kthye shpejt në ikonë dhe novela u adaptua në filmin e suksesshëm të vitit 2009.

Gjatë karrierës, Kinsella shkroi edhe 18 libra të tjerë, përfshirë romane për të rinj dhe fëmijë. Vepra e saj e fundit, botuar në vitin 2024, trajtonte me sinqeritet përvojën personale me kancerin. Shkrimtarja la pas bashkëshortin Henry dhe pesë fëmijët e tyre.


Video