Ukraina çliron një tjetër qytet pranë Kievit

1 April 2022, 21:31Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ukraina çliron një tjetër qytet pranë Kievit

Qyteti Bucha i cili ndodhet në veriperëndim të Kievit është çliruar. Lajmin e ka dhënë kryebashkiaku i qytetit, Anatolii Fedoruk nëpërmjet një video të postuar nga Kiev Independent.

Kryebashkiaku Fedoruk falënderoi forcat e armatosura ukrainase për çlirimin e qytetit, i cili u pushtua nga ushtria ruse në ditën e tretë të luftës.

“31 Marsi do të hyjë në historinë e qytetit tonë”, tha ai.

Bucha është qyteti i radhës që çlirohet nga Ukraina. Më parë u çlirua Irpin dhe një qytezë tjetër në veri-perëndim të kryeqytetit.

Ndërkohë, një depo karburanti është sulmuar në Belgorod në Rusi dhe Moska ka akuzuar Kievin se fshihet pas sulmit. Depoja u godit nga dy helikopterë ushtarakë të Ukrainës pasi ata kaluan kufirin në lartësi të ulët, megjithatë Kievi ka mohuar që të ketë sulmuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ky sulm do të ndikojë në bisedimet për paqen ndërmjet Moskës dhe Kievit.

Nga ana tjetër The Times shkruan se Kina ka qenë bashkëpunëtor i Rusisë në pushtimin e Ukrainës duke e mbështetur atë përmes hakërimit të institucioneve të mbrojtjes dhe atyre civile e bërthamore për të prishur infrastrukturën e tyre. Duke cituara dokumente të inteligjencës britanike, sipas The Time më shumë se 600 faqe interneti që i përkasin ministrisë së mbrojtjes në Kiev dhe institucioneve të tjera pësuan mijëra përpjekje hakerimi, të cilat u koordinuan nga qeveria kineze, sipas shërbimit të sigurisë të Ukrainës, SBU.


Video