
Blegtori 56-vjeçar grek qëlloi me pushkë gjahu pas shpine foshnjën e tij 11 muajshe dhe partneren, e më pas veten. Sipas mjekut që ka bërë ekspertizën mjeko-ligjore, nëna dhe fëmija gjetën vdekjen e menjëhershme.
“Foshnja është qëlluar në shpatullën e majtë dhe ka pasur dëmtim të mushkërive dhe mëlçisë”, shpjegoi mjeku.
Sipas të dhënave të mjekut, foshnja është qëlluar me fishekë të vegjël për shpendë, ndërsa 31-vjeçarja gjermane është qëlluar me fishekë të mëdhenj për derra të egër.
Lidhur me distancën nga ku është qëlluar mbi viktimat, ai shpjegon se ka qenë afër rreth dy deri në tre metra.
“Kam dyzet vjet që bëj ekspertizë mjeko-ligjore, e rrallë të shohësh se si një foshnjë 11-muajshe vritet kaq gjakftohtë” , tha ai.
Blegtori 56-vjeçar u varros të shtunën, por askush nga fshati, madje as babai i tij nuk morën pjesë në varrim.
Një banore tregoi se ishte takuar me 31-vjeçaren gjermane një ditë para vrasjes.
“Jemi trishtuar për atë që ndodhi. Nëse do ta dinim se ata kishin probleme do të kishim bërë diçka që kjo të mos ndodhte. As ai dhe as partnerja e tij nuk kanë thënë asgjë. Unë kam qenë me gruan dhe fëmijën e saj, një natë para vrasjes, kemi luajtur dhe kemi qeshur, por ajo nuk më ka thënë kurrë diçka të tillë, për ndarjen”, tha Irini Kastanidis.
Sa i përket fëmijëve të 56-vjeçarit nga marrëdhënie e mëparshme, e afërmja rrëfeu: “Djali dhe vajza e tij do vijnë në fshat për tu kujdesur për dhitë e delet. I kemi telefonuar të vijnë. Ata e dinin për funeralin por nuk erdhën. Fëmijët nuk kishin marrëdhënie të mira me të atin, si kam pyetur për çështjet familjare.”