Trump rrit tensionet me qytetet demokrate, kërcënon me Aktin e Kryengritjes (Çfarë është ligji i fuqishëm mbi dy shekuj i vjetër)

7 Tetor 2025, 23:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një protestuese e mbështjellë me flamurin amerikan qëndron mes tymit gjatë një proteste jashtë selisë së ICE në Portland.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur tensionet me qytetet e udhëhequra nga demokratët, duke kërcënuar se do të aktivizojë Aktin e Kryengritjes, një ligj federal mbi dy shekuj i vjetër, që do t’i jepte atij të drejtën për të dërguar trupa ushtarake në qytete amerikane, edhe pa miratimin e guvernatorëve apo kryebashkiakëve.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë përkrah kryeministrit kanadez Mark Carney, Trump tha: “Jemi shumë pranë një marrëveshjeje për paqe në Lindjen e Mesme. Ka një mundësi reale që të arrijmë paqen, jo vetëm për Gazën, por për gjithë rajonin.”

Por siç thekson Reuters, deklaratat më të forta ai i bëri lidhur me situatën brenda SHBA-ve ku tha: “Kemi Aktin e Kryengritjes për një arsye. Nëse njerëzit po vriten dhe gjykatat, guvernatorët apo kryebashkiakët na pengojnë të ndërhyjmë, po, do ta përdor.”

Çfarë është Akti i Kryengritjes?

Ky ligj i vitit 1807 i jep presidentit kompetenca për të përdorur ushtrinë në situata të jashtëzakonshme, si trazira apo rebelime. Zakonisht përdoret me kërkesë të guvernatorëve, por në raste të rralla mund të aktivizohet edhe pa lejen e tyre, siç ndodhi në vitin 1965 në Alabama për mbrojtjen e protestuesve të të drejtave civile.

Aktualisht, qindra trupa të Gardës Kombëtare nga Teksasi janë në rrugë për në Çikago, pas urdhrit të Trump, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker, dhe kryebashkiakët lokalë.

Përplasja me qytetet demokratike

Trump ka urdhëruar dërgimin e trupave edhe në Portland dhe më parë në Los Anxhelos dhe Uashington D.C., duke argumentuar se në këto qytete po mbizotëron dhuna. Por zyrtarët lokalë e kanë hedhur poshtë këtë, duke deklaruar se protestat kanë qenë kryesisht paqësore.

Në Çikago, p.sh., ndërsa Trump e ka përshkruar qytetin si një “zonë lufte”, jeta e përditshme ka vijuar normalisht, njerëzit shkojnë në punë, në teatro dhe në plazhe. Sipas autoriteteve lokale, kriminaliteti është në rënie, dhe protestat janë të vogla.

Një nga përplasjet më të ashpra është regjistruar në periferi të Broadvieë, pranë një qendre emigracioni, ku protestuesit janë përballur me forcat federale që kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome. Disa janë arrestuar, përfshirë edhe një gazetar.

Shteti i Illinois dhe qyteti i Çikagos kanë paditur administratën Trump për të ndaluar dërgimin e trupave të Gardës Kombëtare nga Teksasi dhe për të penguar “federalizimin” e trupave të tyre lokale. Një gjykatë federale në Oregon ka ndaluar përkohësisht Trump-in nga dërgimi i trupave në Portland.

Nëse Trump përpiqet të aktivizojë zyrtarisht Aktin e Kryengritjes, do të përballet me sfida të forta ligjore.

Megjithatë, sipas Gjykatës së Lartë, vetëm presidenti ka autoritet të vendosë nëse situata e justifikon përdorimin e këtij ligji, kur autoriteti federal përballet me “bllokime të paligjshme apo rebelim”.

Ky do të ishte një përdorim jashtëzakonisht i rrallë i pushtetit presidencial për të vendosur trupa ushtarake kundër qytetarëve amerikanë. Kritikët e kanë akuzuar Trump-in se po përdor trupat si “rekuizitë politike” për fushatën e tij, ndërsa avokatët e të drejtave civile e quajnë këtë një kërcënim serioz për demokracinë.


Video