"Nëse ndonjë nga 'anijet e shpejta' i afrohet sadopak bllokadës sonë, ajo do të eliminohet menjëherë”. Kështu është shprehur Donald Trump në një tjetër reagim në rrjetin e tij social Truth, duke theksuar se do të përdorë të njëjtën metodë eliminimi si me tregtarët e drogës me anijet në det.
Trump pretendoi gjithashtu se marina iraniane është rëndë e goditur, ndërsa paralajmëroi se edhe anijet e vogla të sulmit nuk do të tolerohen nëse afrohen pranë zonave të kontrolluara.
“Marina e Iranit është në fund të detit, plotësisht e shkatërruar - 158 anije. Ajo që nuk kemi goditur është numri i tyre i vogël i atyre që ata i quajnë "anije sulmi të shpejtë", sepse nuk i konsideronim shumë kërcënim. Paralajmërim: Nëse ndonjë nga këto anije i afrohet bllokadës sonë, ato do të eliminohen menjëherë, duke përdorur të njëjtin sistem vrasjeje që përdorim kundër tregtarëve të drogës në anije në det. Është i shpejtë dhe brutal. P.S 98.2% e drogës që hyn në SHBA nga oqeani ose deti janë ndaluar! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkruan Trump.
Ndërkohë, Turqia së bashku me vendet e tjera ndërmjetëse, po bën përpjekje për të rifilluar bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, megjithëse ende nuk është përcaktuar një orar.
Një burim qeveritar turk i tha agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti. Ankaraja, raportoi burimi, “po ndërmerr hapa për të siguruar që procesi i negociatave midis SHBA-së dhe Iranit të mos ngecë dhe të vazhdojë… Po punohet për të krijuar kushtet që negociatat të zgjerohen dhe të arrijnë marrëveshje të qëndrueshme. Megjithatë, ende nuk ka data specifike”, tha burimi.
Turqia është gati të ofrojë vendin dhe të organizojë raundet e ardhshme të bisedimeve, sepse e konsideron rrugën diplomatike “të vetmen mënyrë për të ulur tensionet”, vazhdoi burimi. “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në krijimin e kushteve për një proces të qëndrueshëm negociatash dhe për të arritur kushte të pranueshme nga të dyja palët”, shtoi ai.