Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e të shtunës në Itali, ku një 47-vjeçar, Giacomo Bongiorni u sulmua për vdekje nga tre të rinj para syve të djalit të tij 11-vjeçar dhe partneres së tij.
Ndërkohë është bërë një reagim nga partnerja e tij Sara Tognocchi, e cila e tronditur ka rrëfyer momentet e tmerrit, duke u shpehur ndër të tjera: “Do të martoheshim, e vranë para syve të mi”.
Ajo shtoi: “Ishim në shesh, na rrethuan dhe na sulmuan. Fëmija përpiqej të ngrinte babanë nga toka, ishte e tmerrshme. Jemi të shkatërruar. Më thoni që është vetëm një ëndërr e keqe.”
Djali vetëm 11-vjeç, ka mbetur në gjendje shoku dhe është dërguar në spital për trajtim.
Si ndodhi ngjarja?
Bongiorni po e kalonte natën e së shtunës në qendër të qytetit me disa anëtarë të familjes, përfshirë kunatin e tij dhe djalin e tij 11-vjeçar, i cili ishte dëshmitar i skenës së bashku me nënën e tij.
Pas mesnatës, një grup prej rreth dhjetë të rinjsh dukshëm të dehur thuhet se filluan të hidhnin shishe dhe gota në dritaren e një dyqani në shesh. Bongiorni dhe kunati i tij dyshohet se i nxitën ata të ndalonin.
Në atë moment, të rinjtë dyshohet se sulmuan dhe më pas ikën. 47-vjeçari mbeti në tokë, duke goditur kokën në asfalt dhe më pas duke pësuar arrest kardiak, i cili rezultoi fatal.
Kurse kunati i viktimës u shtrua në spital me fraktura. Djali 11-vjeçar, i dërguar në spitalin e Massas në gjendje shoku, mbeti i padëmtuar, ashtu si edhe nëna dhe partnerja e Bongiornit.
Tre të rinj, një i mitur dhe dy të rritur të moshës 19 dhe 23 vjeç, janë arrestuar për vdekjen e 47-vjeçarit Giacomo Bongiorni, dy të rriturit e arrestuar janë Ionut Alexandru Miron, 23 vjeç, dhe Eduard Alin Carutasu, 19 vjeç. Ata akuzohen për bashkëpunim në vrasje me dashje./“L’unione Sarda.it”