Tre amerikanë të vrarë në Siri nga një sulm i ISIS, Trump paralajmëron “hakmarrje shumë serioze”

13 Dhjetor 2025, 22:57Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Donald Trump

Tre amerikanë vriten nga një sulm i ISIS-it në Siri, Trump premton hakmarrje

Tre amerikanë, përfshirë dy ushtarë dhe një përkthyes civil, u vranë në Siri gjatë një sulmi nga një anëtar i grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-ve. Tre ushtarë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa sulmuesi u neutralizua.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e quajti ngjarjen “sulm të ISIS-it” ndaj SHBA-ve dhe Sirisë dhe paralajmëroi për “hakmarrje shumë serioze”.

“Të trishtuar, nderojmë humbjen e tre patriotëve të mëdhenj amerikanë në Siri, dy ushtarë dhe një përkthyes civil”, shkroi Trump, duke shtuar se tre ushtarët e tjerë të plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas presidentit amerikan, sulmi ndodhi në një zonë “tejet të rrezikshme të Sirisë”, që nuk është plotësisht nën kontrollin e autoriteteve siriane.

Trump theksoi se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, është “jashtëzakonisht i zemëruar dhe i tronditur” nga ngjarja.

“Ky ishte një sulm i ISIS kundër Shteteve të Bashkuara. Do të ketë hakmarrje shumë serioze”, paralajmëroi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e përgjigjes amerikane.

Identitetet e viktimave po mbahen sekret për 24 orë deri në njoftimin e familjarëve të tyre.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-ve, sulmi ndodhi në Palmirë, në qendër të Sirisë, gjatë një operacioni të përbashkët me autoritetet siriane. Një zyrtar i Pentagonit tha se zona nuk ndodhet nën kontrollin e presidentit sirian.

Shërbimet siriane raportuan se dy persona të tjerë u plagosën, ndërsa SHBA-të konfirmuan se tre ushtarët e plagosur janë “në gjendje të mirë”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se kushdo që sulmon amerikanët do të ndiqet dhe eliminohet.

Ky incident ndodh ndërsa Siria është pjesë e një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist ISIS dhe për të penguar fluksin e militantëve të huaj në Lindjen e Mesme. Ambasadori amerikan për Turqinë dhe emisar special për Sirinë, Tom Barrack, dënoi sulmin dhe konfirmoi angazhimin e SHBA-ve për të luftuar terrorizmin së bashku me partnerët sirianë.


Video