Thriller në ajër, avioni me 200 pasagjerë në bord mbetet 10 minuta pa pilot. Arsyeja e frikshme

16 Maj 2025, 23:03Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një incident i rëndë ka ndodhur në një fluturim të Lufthansës kur bashkëpiloti i avionit Airbus A321 humbi ndjenjat, teksa ishte vetëm në kabinën e pilotit, duke bërë që fluturimi të mbetej pa një pilot aktiv për rreth 10 minuta.

Ngjarja ka ndodhur në muajin shkurt, por raporti përfundimtar i autoriteteve spanjolle është publikuar këtë të enjte.

Sipas raportit, Airbus A321 po operonte në linjën Frankfurt-Sevilje me mbi 200 pasagjerë në bord.

Incidenti ndodhi kur avioni kishte hyrë në hapësirën ajrore spanjolle dhe ishte afërsisht 30 minuta larg destinacionit të tij. Kapiteni doli përkohësisht nga kabina e pilotit për arsye personale, pasi kishte përcaktuar se bashkëpiloti i tij ishte në gjendje të mirë.

Kur u kthye tetë minuta më vonë, e gjeti derën e kabinës të mbyllur dhe bashkëpilotin pa ndjenja. Ai u përpoq të fuste fjalëkalimin pesë herë, ndërsa një asistente fluturimi u përpoq të komunikonte nëpërmjet interfonit, por pa sukses.

Në fund, mekanizmi i aksesit emergjent u aktivizua dhe, pak para se të skadonte kohëmatësi përkatës, bashkëpiloti rifitoi pjesërisht vetëdijen dhe hapi derën.

Sipas raportit, bashkëpiloti 38-vjeçar ishte “i zbehtë, i djersitur dhe kishte lëvizje të pazakonta”.

Kryepiloti menjëherë kërkoi ndihmë, ndërsa ekuipazhi i kabinës dhe një mjek në bordin e avionit ofruan ndihmën e parë dhe kapiteni vendosi ta devijonte fluturimin për në Madrid.

Pas uljes, bashkëpiloti u dërgua në spital. Shkaku i “paaftësisë së papritur dhe të rëndë” të pilotit ishte një krizë epileptike, për shkak të një çrregullimi neurologjik, siç raportohet nga ekspertët.

Autoriteti spanjoll i Aviacionit Civil thekson në raportin e tij se gjendja në fjalë është jashtëzakonisht e vështirë për t’u diagnostikuar, përveç nëse piloti kishte shfaqur simptoma në një kontroll të mëparshëm mjekësor.

Si një masë kryesore parandaluese, studiuesit sugjerojnë që Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) të informojë linjat ajrore që të shqyrtojnë rreziqet që lindin kur vetëm një pilot mbetet në kabinën e pilotit.

Video