Shtetet e QUINT-it dhe NATO nuk e mbështesin, Albin Kurti “ngul këmbë” për urën e Ibrit në Mitrovicë: Duhet të hapet!

2 August 2024, 12:48Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shtetet e QUINT-it dhe NATO nuk e mbështesin, Albin Kurti “ngul
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë në hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it.

Gjatë një takimi të premten në Prishtinë, Kurti ua paraqiti përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër, njoftoi Zyra e tij në një komunikatë për media.

“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftim.

Më herët të premten, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me Kurtin se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

Sipas njoftimit, plani i Qeverisë së Kurtit parasheh “testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit,  u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.

Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiç nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet./REL


Video