Dy shqiptarë të arrestuar pas tre vitesh në arrati që nga aksidenti i rëndë në një fermë kanabisi që i mori jetën bashkatdhetarit të tyre janë dënuar nga një gjykatë britanike.
Shqiptarët Ymer Xhindi dhe Mariglen Nela, 43 dhe 33-vjeç u dënuan vetëm për kultivimin e kanabisit me vlerë 369,000, ndërsa akuza për vrasje u rrëzua për mungesë faktesh.
Zjarri në qershor të 2020-ës në fermën ku rritej kanabisi në Brierley Hill i mori jetën vëllait të Ymerit, Margaritis Xhindi, baba i tre fëmijëve. Ai u bllokua në një prej dhomave duke mos arritur të dilte në kohë.
Në atë kohë zjarrfikësja dhe policia mbërritën brenda 10 minutash në vendngjarje, duke arritur të nxjerrin dy shqiptarët e tjerë të cilët kishin pësuar dëme serioze nga tymi.
Një shqiptar i katërt, i cili paguante qiranë e ndërtesës ku rritej kanabisi, është ende në kërkim.