Një shpërthim i fuqishëm ndodhi pasditen e së hënës, më 15 dhjetor, rreth orës 17:30, në një ndërtesë banimi me katër kate në qytetin francez Trévoux, Ain, duke shkaktuar një bilanc të rëndë: dy fëmijë të vdekur dhe të paktën katër persona të plagosur.
Siç raporton Le Monde, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonën, pasi rreziku nuk është ende i përjashtuar. Sipas dëshmive, një grua që ndodhej në banesë me tre fëmijët e saj arriti të shpëtonte me djalin e madh, ndërsa dy fëmijët e tjerë, të moshës 3 dhe 5 vjeç, u nxorën nga rrënojat në gjendje kritike dhe më pas u shpallën të vdekur.
Ndërtesa nuk është shembur, por banorët janë evakuuar dhe strehuar në një palestër pranë. Shpërthimi ishte aq i fortë sa thyen xhamat e dy shkollave aty pranë, duke shkaktuar panik mes nxënësve, por pa raportime për të plagosur.
Në vendngjarje janë mobilizuar rreth 50 zjarrfikës, 36 mjete dhe ekipe mjekësore. Një strukturë emergjence është ngritur në një pishinë pranë ndërtesës, ndërsa prefektja e Ain ka aktivizuar planin Novi (shumë viktima), që lejon koordinimin e të gjitha strukturave të emergjencës. Kryetari i bashkisë ka vënë në zbatim planin komunal të mbrojtjes.
Prefektja Chantale Mauchet dhe ministri i Brendshëm Laurent Nuñez kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave dhe plagosurit.
Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet janë në zhvillim.