Është rritur numri i të vdekurve dhe të plagosurve nga shpërthimi i regjistruar pasditen e sotme në rrugën "Beyoglu Istiklal", pranë sheshit "Taksim" në Stamboll të Turqisë.
Guvernatori i Stambollit Ali Yerlikaya përmes një postimi në rrjetet sociale ka sqaruar se të paktën 6 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi dhe se 53 të tjerë janë plagosur.
"Fatkeqësisht, në shpërthimin që ndodhi sot në rrugën Istiklal, numri i të vdekurve është rritur në 6 dhe numri i të plagosurve në 53. I urojmë mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë të lënduarve. Zhvillimet do të ndahen me publikun." shkruan ai në Twitter.
Lidhur me këtë ngjarje tragjike që ka tronditur të gjithë botë ka ardhur një reagim dhe nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Ai thotë se nga të dhënat e para kemi të bëjmë me një sulm terrorist dhe se autorët do të dënohen ashtu siç e meritojnë.
Presidenti Erdogan: “Përpjekjet për ta nënshtruar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre as sot, e as nesër, ashtu siç nuk e arritën dje. Të jetë i sigurt kombi ynë se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen ashtu siç e meritojnë. Ndonëse mund të jetë e gabuar të quhet terrorizëm në terma absolutë, të dhënat e para sinjalizojnë se mund të bëhet fjalë për terrorizëm”.