Italia po shndërrohet sërish në vatër të nxehtë të Bashkimit Europian për çështjen e emigrantëve ilegalë, pas zgjedhjes së nacionalistes Xhorxha Meloni në krye të qeverisë.
Brukseli po përpiqet të ndërmjetësojë përplasjen më të fundit mes Romës dhe Parisit, pasi autoritetet franceze pezulluan marrëveshjen e disa viteve më parë, ku angazhoheshin të pranonin 3500 emigrantë ilegalë nga Azia dhe Afrika që shkojnë në Itali çdo vit nga ujërat e Mesdheut.
Shkak u bë vendimi i ministrit Mateo Piantedosi, nga radhët e “Vëllezërve të Italisë” partisë së kryeministres Xhorxhia Meloni, për të refuzuar ankorimin e anijes së shpëtimit Ocean Viking me 230 emigrantë të shpëtuar. Anija u dërgua për ankorim në Francë, por ministri i Brendshëm i këtij vendi, Zheral Darmanë tha se këta emigrantë shkojnë përtej marrëveshjes.
Për kryeministren italiane, Italia nuk mund të jetë i vetmi vend që pret emigrantë në Europë. Barra sipas Melonit, duhet të ndahet në mënyrë të barabartë dhe jo me kuota. Në vetëm një vit, Italia ka pranuar 90 mijë emigrantë.