Një shkencëtar rus i njohur për zhvillimin e raketave "cruise" është gjetur i vrarë në një zonë pyjore me borë pranë Moskës.
Shërbimi inteligjent i Ukrainës pretendoi se kishte vrarë Mikhail Shatsky, zëvendësdrejtor i një njësie inxhinierike balistike me bazë në Moskë.
“Kushdo që është i përfshirë në zhvillimin e kompleksit ushtarako-industrial rus dhe mbështetjen e agresionit rus në Ukrainë në një mënyrë ose në një tjetër është një objektiv legjitim”, tha një burim ukrainas i mbrojtjes për "Kyiv Independent".
Autoritetet ruse, propagandistët dhe kanalet kryesore të lajmeve nuk kanë komentuar mbi ngjarjen.
Fotografitë e publikuara nga kanalet pro-ukrainase në sistemin e mesazheve sociale Telegram tregojnë një burrë të veshur me xhinse dhe një pallto të zezë, i shtrirë në borë dhe i zhytur në gjak.
Nuk ishte e mundur të identifikohej nëse trupi i përket Shatsky, megjithëse një pamje nga afër e fytyrës tregonte se i vdekuri kishte mustaqe të zeza dhe ngjashmëri të madhe me të.
Një burim i dytë i inteligjencës ukrainase konfirmoi për "Ukrainskaya Pravda" se agjentët e inteligjencës ukrainase kishin komplotuar dhe kryer vrasjen, duke thënë: “Mikhail Shatsky u qëllua për vdekje nga një vrasës në parkun pyjor Kuzminki pranë Kotelniki, Rajoni i Moskës”, tha burimi.
Important Stories, një kanal Telegrami rus kundër luftës, tha se e kishte vendosur vendin ku trupi i Shatsky u gjet në një pjesë të largët pyjore në juglindje të Moskës, afërsisht 10 minuta në këmbë nga shtëpia e shkencëtarit.
Shatsky ishte një shkencëtar kryesor në Byronë e Dizajnit Mars të Kremlinit, e cila është e specializuar në zhvillimin e sistemeve automatike të kontrollit dhe navigimit në bord për aeroplanë, anije kozmike dhe raketa, sipas mediave lokale. Që nga viti 2017, Marsi ka qenë nën kontrollin e Rosatom, agjencisë prestigjioze bërthamore të Kremlinit.
Atij i ishte besuar puna për planet sekrete të Kremlinit për të inkorporuar teknologjinë e AI te dronët, avionët dhe anijet kozmike ruse. Ai gjithashtu mbikëqyri modernizimin e raketave Kh-59 dhe Kh-69, të cilat Kremlini i ka lëshuar në qytetet e Ukrainës.
Vrasja e Shatsky fillimisht u zbulua nga Alexander Nevzorov, një gazetar anti-Kremlin me më shumë se një milion abonentë në Telegram. Ai akuzoi shkencëtarin për vrasjen e "mijëra ukrainasve të pafajshëm" dhe tha: "Duket se asnjë nga ata që janë fajtorë për gjenocidin e ukrainasve nuk do të vdesë me vdekje natyrale".
Shërbimet e inteligjencës së Ukrainës kanë qenë të lidhura me disa atentate brenda Rusisë që nga pushtimi i Kremlinit në shkurt 2022.