SHBA-të marrin vendim, nuk do të dërgojnë 4 mijë trupa në Europë

14 Maj 2026, 22:40Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Pentagoni ka bllokuar papritur dërgimin e një brigade amerikane prej rreth 4 mijë ushtarësh drejt Europës Lindore, një vendim që ka shkaktuar shqetësim te vendet e NATO-s pranë kufirit me Rusinë dhe Ukrainën.

Sipas mediave amerikane dhe deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Lituanisë, ndalimi lidhet me rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Europë.

Brigada e quajtur “Black Jack”, pjesë e Divizionit të Parë të Kalorësisë amerikane, ishte përgatitur të nisej nga baza Fort Hood në Teksas më 1 maj. Ushtarët do të vendoseshin kryesisht në Poloni dhe në vende të tjera të krahut lindor të NATO-s për një mision nëntëmujor. Megjithatë, më 13 maj Pentagoni pezulloi nisjen e tyre, edhe pse një pjesë e pajisjeve ushtarake ishte tashmë rrugës për në Europë.

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë deklaroi se “Pentagoni ka ndalur rotacionin e trupave në Europë”. Kjo do të thotë se SHBA-të po fillon të reduktojë gradualisht zëvendësimin e trupave që ishin dërguar pas sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022 nga administrata e ish-presidentit Joe Biden.

Aktualisht në Europë ndodhen rreth 85 mijë ushtarë amerikanë. Nga këta, 15 deri në 20 mijë u vendosën pas fillimit të luftës në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen e aleatëve të NATO-s në lindje të kontinentit. Këto misione konsiderohen të përkohshme dhe funksionojnë me sistem rotacioni, ku njësi të reja zëvendësojnë ato që përfundojnë shërbimin.

Sipas raportimeve, Pentagoni kishte nisur ngadalësimin e këtyre rotacioneve që në tetor të vitit të kaluar, kur nuk zëvendësoi një brigadë të vendosur në Rumani. Ky zhvillim mund të çojë në ulje të mëtejshme të pranisë ushtarake amerikane edhe në Gjermani dhe vende të tjera europiane.

Situata ka rritur shqetësimin sidomos në shtetet baltike dhe në vendet më afër Rusisë. Lituania ka reaguar menjëherë duke deklaruar se bazat e saj ajrore nuk janë përdorur për sulme kundër Rusisë. Autoritetet lituaneze akuzojnë Moskën për një fushatë dezinformimi që synon të tensionojë marrëdhëniet mes vendeve baltike dhe NATO-s.

Vendimi i Pentagonit shihet gjithashtu në kontekstin e deklaratave të përsëritura të Donald Trump, i cili ka paralajmëruar më parë mundësinë e tërheqjes së mijëra ushtarëve amerikanë nga Gjermania, Italia dhe Spanja. Megjithatë, analistët theksojnë se situata është më komplekse dhe lidhet edhe me strategjinë e re ushtarake amerikane në Europë.


Video