SHBA mund të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

13 Korrik 2026, 19:00Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të hënën se Shtetet e Bashkuara mund të marrin kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës dhe gazit.

Në një intervistë telefonike për emisionin “Fox & Friends” të Fox News, Trump tha se SHBA-të kanë gjasa të marrë përgjegjësinë për sigurinë e ngushticës.

“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta menaxhojmë atë. Do të bëhemi kujdestarët e ngushticës. Ndoshta do ta quajmë ‘engjëlli mbrojtës i ngushticës’. Dhe duhet të kompensohemi për këtë”, deklaroi ai.

Deklarata e presidentit amerikan shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Irani.

Komanda Qendrore Khatam al-Anbiya, struktura më e lartë e koordinimit ushtarak iranian, publikoi një deklaratë ku paralajmëroi se Teherani nuk do të lejojë ndërhyrjen e SHBA-ve në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.

Sipas deklaratës, forcat e armatosura iraniane do të reagojnë ashpër ndaj çdo veprimi që, sipas tyre, cenon kontrollin iranian mbi kalimin e anijeve tregtare në zonë.

Autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu vendet e rajonit që të mos bashkëpunojnë me SHBA-të në këtë çështje, duke theksuar se çdo mbështetje logjistike ose ushtarake për Uashingtonin do të konsiderohej si veprim kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit.

“Nëse lufta zgjerohet në rajon, flakët e saj do të përfshijnë të gjitha vendet e zonës”, thuhet në deklaratën e publikuar nga mediat shtetërore iraniane.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më strategjike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës nga vendet e Gjirit Persik.

Për këtë arsye, çdo tension në këtë zonë ndiqet me shqetësim nga tregjet ndërkombëtare dhe fuqitë globale.


Video