Sulmet me dronë të Ukrainës fusin në kolaps Rusinë

12 Korrik 2026, 21:22Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rusia është detyruar të pezullojë transportin detar në Detin e Azovit pas një serie sulmesh me dronë nga Ukraina, ku në më pak se në një javë janë vënë në shënjestër rreth 90 mjete lundruese.

Sipas autoriteteve ukrainase, njësitë e dronëve kanë goditur gjatë natës 10 cisterna nafte dhe katër tragete, ndërsa një sulm tjetër ka prekur një rafineri të madhe nafte në qytetin rus të Syzranit. Po ashtu, janë raportuar sulme ndaj nënstacioneve elektrike në Krimenë e pushtuar.

Kreu i forcave ukrainase të dronëve deklaroi se flota ruse e ashtuquajtur “nën hije”, e përdorur për transportin e produkteve energjetike të sanksionuara, po përballet me vështirësi dhe se përdorimi i ngushticës së Kerçit është kufizuar ndjeshëm.

Deti i Azovit ka rëndësi të madhe ekonomike dhe ushtarake për Moskën, pasi përmes tij transportohen naftë, grurë, çelik dhe produkte të tjera drejt tregjeve ndërkombëtare.

Sipas raportimeve, Rusia ka pezulluar transportin përmes kanalit Don-Azov, një rrugë që lidhet me rrjetin lumor rus dhe Detin Kaspik. Kjo ka ndikuar në një nga korridoret kryesore të eksportit përmes Detit të Zi dhe ngushticës së Bosforit.

Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes tha se Moska ka humbur kontrollin mbi një korridor të rëndësishëm detar, duke shtuar se bllokada prek edhe lëvizjen e mjeteve ushtarake dhe transportin e mallrave përmes porteve të kontrolluara nga Rusia.

Ndërkohë, Ukraina ka vijuar sulmet me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës ruse të naftës. Një rafineri në qytetin e Syzranit u përfshi nga zjarri pas një sulmi me dron, ndërsa pamjet nga zona treguan kolona të mëdha tymi mbi kompleksin industrial.

Kievi ka goditur gjithashtu rrugët tokësore dhe detare të furnizimit drejt Krimesë së pushtuar, duke synuar kamionë, anije dhe pika kalimi. Autoritetet ruse raportuan se një cisternë mori flakë gjatë hyrjes në kanalin Azov-Deti i Zi, ndërsa u raportuan edhe rrjedhje nafte pranë brigjeve të Taganrogut.

Ekspertë të sigurisë e kanë cilësuar këtë fushatë si pjesë të një strategjie më të gjerë ukrainase për të dobësuar kapacitetet ruse të furnizimit, duke goditur logjistikën, rezervat e karburantit dhe infrastrukturën ushtarake.

Sulmet kanë shkaktuar gjithashtu probleme në Krime, ku autoritetet kanë shpallur gjendje emergjence pas ndërprerjeve të energjisë dhe mungesave të karburantit. Sektori i turizmit në gadishull është prekur ndjeshëm, ndërsa banorë të shumtë janë detyruar të udhëtojnë drejt Rusisë për të siguruar karburant.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse janë pjesë e një fushate presioni afatgjatë, si përgjigje ndaj refuzimit të Moskës për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar. Autoritetet ukrainase raportuan se tre persona u vranë në rajonin e Dnipropetrovskut pas bombardimeve ruse, ndërsa një sulm me dron në qytetin Kherson shkaktoi një tjetër viktimë.


Video